Policia e Shkodrës i ka ngritur kurth një grabitësi serial. Në prangat e policisë ka rënë Sokol Dedaj, 33 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, i cili u arrestua në kuadër të operacionit policor "Long Wait".

Ai njihej si problematik në zonë dhe i dyshuar për një seri grabitjesh. Pasi është mbajtur nën monitorim nga forcat e rendit, 33-vjeçarit i është ngritur kurth nga policia teksa shkon të grabisë një banesë. 

Arrestimi i tij u bë pasi u kap në tentativë për të vjedhur me armë zjarri banesën në pronësi të shtetases T. V. 63 vjeçe, në Dajç Bregu i Bunës, Shkodër. Në momentin e kapjes iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri automatik model 56, me një krehër me fishekë.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale të “Vjedhje me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 140 e 278 të Kodit Penal.