Ndërsa pritet marrja në pyetje e familjarëve dhe kur kanë kaluar 48 orë nga vrasja e Aleksandër Ndokës, vëllait 48-vjeçar të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka, ngjarja e bujshme mbetet ende pa autor.

12 personat e shoqëruar në polici menjëherë pas ngjarjes janë marrë në pyetje dhe janë lënë sërish të lirë.

Sipas policisë, ata ishin persona që kanë patur më parë konflikte me të ekzekutuarin apo familjarë të tij ose kanë patur dijeni rreth konflikteve.

Por marrja në pyetje, duket se nuk i ka shërbyer shumë hetimit për të rënë në gjurmë të autorëve dhe motiveve të ekzekutimit mafioz.

Të pyetur nga policia në momentet e para të ngjarjes, familjaret e Ndokës kanë deklaruar se viktima nuk ka patur probleme me asnjë person, madje lëvizte lirisht në çdo kohë.

Nga ana tjetër, ndihmë hetimit që duket i vështirë, pritet t'i japin edhe rezultatet e analizave të gëzhojave të gjetura në vendngjarje dhe kontrolli i dy telefonave celularë të viktimës, të cilët janë sekuestruar si provë materiale.

Prokuoria pritet të zbardhë bisedat telefonike dhe sms në telefonat e viktimes në kërkim të indicieve.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije për Ora News se po hetohet në dy pista, ajo e konflikteve personale apo anëtarëve të familjes Ndoka dhe ajo e vrasjes për shkak të detyres.

Kjo e fundit është dhe kryesorja në të cilën po hetohet, pasi 48-vjeçari ka mbajtur detyra në administratën lokale për një periudhë të gjatë.

Vrasja e vëllait të ish-deputetit të Lezhës, Arben Ndoka mbetet një mister për mënyrën sesi është kryer, ndaj dhe zbardhja e saj duket mjaft e vështirë. /oranews