Në kohën kur drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e saj për Bledar Jambellin që akuzohet si urdhërues i vrasjes së Artan Cukut, familjarët e ish kryekomisarit të ndjerë hapin një beteje të re gjyqësore.

Pak ditë më parë, e veja e Cukut dhe vëllezërit e tij i janë drejtuar gjykatës Administrative me një kërkesë për shpërblim demi, nga Ministria e Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

BalkanWeb raporton se familjarët kërkojnë nga institucionet shtetërore t’i dëmshpërblejnë për dënimin pasuror dhe jopasuror që iu ka ardhur si rezultat i humbjes së jetës së familjarit të tyre për shkak të detyrës së tij, si ish-drejtues i Policisë së Shtetit. Çështja është shortuar dhe së shpejti palët pritet të përballen në sallën e gjyqit.

Artan Cuku është shpallur dëshmor i Atdheut, pasi hetimet nxorën në dritë faktin se ai u ekzekutua për shkak të detyrës si zyrtar i Policisë së Shtetit. Por ndërkohë, urdhëruesi i vrasjes dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë ende nuk janë dënuar nga drejtësia.

Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci mundën tu shpëtonin dhe prangave, dhe fituan statusin si azilant në shtetin grek. I vetmi i dënuar për krimin është Mikel Shallari, i cili ka patur rolin e ekzekutorit. Ky i fundit mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu për hetuesit emrat e urdhëtuesve të krimit, duke përfituar në këmbim një dënim me vetëm 10 vite burgim.