Personi i dyshuar si autor i shumë grabitjeve në Palasë është kapur ditën e sotme nga policia.

Dy punonjës policie janë nisur me motor nga Himara, në momentin që ata kanë mbërritur ai ka tentuar të largohet me vrap drejt kodrave.

Njëri nga policët i ka bërë thirrje që të ndalojë,por ai ka vazhduar të vrapojë nëpër ullinjtë që gjendeshin aty. Ai ka një të çarë në ballë  prej tentativës që të largohej nga policia.

Më pas policia është detyruar të qëllojë në ajër për ta frikësuar dhe ai ka ndaluar. Pasi është futur në makinën e policisë, gazetari i Top Channel ka mundur që ta intervistojë, por ai nuk ka treguar asnjë informacion për veten.

“Nuk i kam dhunuar, asnjë shtëpi nuk kam vjedhur, jam nga Tirana, ik me atë telefon”, tha ai ndërsa qëndronte kokëulur.

Kujtojmë se Palasa është përfshirë nga vjedhje dhe përdhunime të plakave gjatë ditëve të fundit, të cilat bënë thirrje për ndihmë. Hajdutët vjedhin paratë e pensionit e çfarë të gjejnë si psh: pashaporta/karta identiteti apo veshje.

Fshati Palasë është fshat bregdetar kryesisht me banorë të moshës së tretë. Sezoni veror e bën këtë fshat më të populluar e mesa duket mbyllja e tij pasohet nga vjedhje në shtëpitë e të moshuarve që përbëjnë shumicën e banorëve. Edhe pse hetimet vazhdojnë askush nuk është vënë në pranga.