Prokuroria italiane fillimisht kërkoi burgim të përjetshëm për Xhevdet Mehmetin, shqiptarin që vrau gruan e tij në maj të 2018-s në Piacenza. Por për shkak se i pandehuri zgjodhi gjykim të shkurtuar, dënimi pritet të zbresë në 30 vjet.

57-vjeçari akuzohet për dhunë në familje dhe për vrasje me paramendim. Më 27 Maj, ai vrau bashkëshorten e tij, 52-vjeçaren Elca Tereziu. E gjithë skena e tmerrit u pa nga djali i vogël i tyre, atëherë vetëm 17 vjeç.

Në seancën e së enjtes, prokurori Antonio Colonna kërkoi dënimin maksimal për Mehmetin. Sipas tij mes çiftit kishte pasur gjithnjë konflikte dhe kështu kishte ndodhur edhe më 27 maj.

Djali i tyre ka dëgjuar të bërtitura. Sipas akuzës, Mehmeti donte ta vriste 52-vjeçaren. Ai pas sherrit mori një thikë kuzhine dhe e plagosi fillimisht të shoqen. Në këtë moment, ajo reagon dhe ia merr thikën, por më pas Mehmeti e ka goditur brutalisht edhe disa herë me një thikë tjetër duke e vrarë. Gjithsej viktima kishte 4 plagë.

Megjithatë pala mbrojtëse mohoi të gjitha akuzat. Sipas tyre, nëse Elca Tereziu nuk do t’ia merrte thikën nga dora Mehmetit, atëherë ai nuk do ta vriste. Ndërkohë fëmijët e çiftit tashmë 18 vjeç dhe 20 vjeç janë ndihmuar nga Shërbimet Sociale italiane. Seanca ku do të jepet vendimi për Xhevdet Mehmetin pritet të jepet në fund të Prillit.