Policia e Durrësit arrestoi sot shtetasin Ermir Dervishi, me qëllim ekstradimin drejt Italisë ku dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale "Vrasja".

49-vjeçari që akuzohet për vrasjen e mikut të tij Gentian Duros në vitin 1998 në Kavajë, shihet teksa zbret nga furgoni blu me shapka me gisht dhe i veshur sportiv.

I shoqëruar nga dy efektivë, Dervishi shfaqet në videon e publikuar nga policia me pranga në duar teksa shoqërohet në ambientet e Komisariatit.

Ermir Dervishi nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi njihet si pjesëtar i Bandës së Durrësit. Më 3 nëntor të vitit 2011, agjentët e RENEA-s e kapën në zonën e Freskut në Tiranë teksa ishte në kërkim që prej 10 vitesh.

Çështja e tij në vitin 2012 shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas nuk dihet se si ai arriti të shpëtonte nga dënimi prej 20 vitesh burg që i kishte dhënë Gjykata e Apelit.

49-vjeçari do të ekstradohet drejt Italisë ku është dënuar me burim të përjetshëm që në vitin 1999 nga Gjykata e Alessandrias për vrasje.