Policia e Shkodrës ka arrestuar një 55-vjeçar të shpallur në kërkim për vrasjen e 69-vjeçarit Tahir Bajraktari, ngjarje e ndodhur më 18 shtator 2018 në bjeshkën e Doberdollit në Tropojë.

I arrestuari është Nik Lulashi, ndaj të cilit gjykata ka vendosur në mungesë masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Ai u kap nga uniformat blu në fshatin Bregu Lumit në Dukagjin.

Viktima banonte në Tiranë, por kishte shkuar për pushime në shtëpinë e tij në Doberdoll të Tropojës. Autori, Nik Lulashi, ishte punësuar nga viktima për të kryer punime në banesë dhe mes tyre pati një konflikt për pagesën.

55-vjeçari Lulashi kërkonte më shumë para se sa i ofroi viktima dhe ky debat nxiti konfliktin mes tyre. Nik Lulashi e qëlloi me armë Tahir Bajraktarin duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas u arratis nga vendngjarja.