Në seancën gjyqësore ndaj Fadil Kasemit, sot dëshmoi drejtuesi i mjetit që e largoi nga vendnngjarja pasi ai kishte ezekutuar ish-gruan e tij, gjyqtaren Fildes Hafizi.

Klodian Tafa deklaroi para togave të zeza tek Krimet e Rënda se u mor peng nga Kasemi dhe nën kërcënimin e armës u detyrua ta marrë në makinë.

"Kasemi më doli para makinës, kishte pistoletë. Më tha që do të hipte në makinën time por unë i thashë se kompania s’na lejon të marrim të tjerë persona. Fadil Kasemi me kërcënoi me armën që kishte në dorë. Më tha "Kam vrarë gruan dhe të vras edhe ty"", ka treguar shoferi i makinës me të cilin lëvizi Fadil Kasëmi.

Ai tha më tej se pasi hipi në makinë, Kasëmi i ka kërkuar të ecte sa më shpejt.

"Sapo u nisa, nga pas filloi të na ndiqte një motor policie. Kalova kryqëzimin te "Xhamllëku" me semafor të kuq. Pas kryqëzimit, Kasemi hoqi karikatorin nga pistoleta. U futa kundra-vajtje drejt komisariatit numër 1. E futa makinën në oborrin e komisariatit. Kasemi zbriti me armë në dorë, aty u ndalua nga policia", ka treguar shoferi.