Pasi ish-i dashuri i saj Rexhep Rraja u la sërish në burg, nga jashtë Gjykatës Xhisiela Maloku ku kishte shkuar për ta mbështetur, ka bërë 'avokaten e tij mbrojtëse' pavarësisht se ishte denoncimi i saj për përndjekje që e çoi pas hekurave.

Në një prononcim për gazetarët, 25-vjeçarja tha se kishte shkuar në gjykatë për ta mbështetur ish-të dashurin, pasi ishte i pafajshëm. Ajo theksoi gjatë fjalës së saj, se askush nuk i ka bërë presion.

"Erdha për ta mbështetur, për arsye të trafikut arrita vonë. Kjo bëri që mos të isha në gjykatë. Në seancën tjetër do e mbështes. Nuk jam viktimë. S'kam presion. Këtë e kam bërë edhe deklaratë noteriale. Ato që kam thënë në media janë të vërteta, dhe duhet të më besoni. Oficeri i policisë është në azil. S'kam informacione të tjera. Kam kontaktuar me të, kam marrëdhënie të mira. Kemi marrëdhënie shoqërore. Erdha për ta mbështetur në gjykatë", tha Xhisiela Maloku.

Ajo paralajmëroi dhe median: "Më rrini larg. Një media që do merret me jetën time do ta çoj në prokurori", u shpreh protagonistja e  kësaj ngjarjeje, që është kthyer tashmë në një çështje që ka tërhequr mbarë interesin e politikës dhe opinionit publik.