Policia ka dhënë të tjera detaje në lidhje me identitetin e personave që kanë mbetur të vdekur në fshatin Resulaj nga duart e 24 vjeçari Ridvan Zykaj.

8 viktimat janë pjesëtar të familjeve Zykaj. 24 vjeçari fillimisht ka qëlluar mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykën. Demir Zykaj së bashku me gruan e tij Ferie Zyka kanë qenë të parët që janë ekzekutuar. Demir Zyka ishte 75 vjeç ndërsa gruaja Ferie Zyka, 72 vjeçare. Në shtëpinë e Demir Zykës qëndronte dhe djali i tij së bashku me gruan, Azem e Afërdita Zykaj.

Të katër personat janë vrarë në një shtëpi.

Më tutje 24 vjeçari Ridvan Zykaj ka shkuar në shtëpinë e djalit tjetër të Demir Zykajt, shtetasit Besim Zykaj. Në shtëpinë e 42 vjeçarit ndodhej e gjithë familja, gruaja e Besimit, Vasilika Zyka, një vajzë adoleshente me emrin Sara Zyka, 17 vjeçe si dhe fëmijën 9 vjeçar Ledjon Zykaj.

Ndërkohë vetë prindërit e 24 vjeçarit janë shoqëruar nga policia dhe janë marrë në pyetje. Deri më tani nuk ka të dhëna për atë që kanë deklaruar përpara hetuesve prindërit e 24 vjeçarit.

Ngjarja e përmasave katastrofike nuk ka përfunduar ende, pasi i riu është ende në arrati. Të gjitha forcat speciale janë vënë në ndjekje të të riut i cili punonte si bari. Nga momenti që ka ndodhur ngjarja e deri më tani nuk ka asnjë shenjë të autorit të masakrës, por policia ka paralajmëruar se 24 vjeçari ka ende armën kallashnikov me vete dhe është i armatosur, duke mbetur kësisoj një person mjaft i rrezikshëm për këdo që i del përpara.

Një tjetër detaj, i përcjellë nga banorët e zonës është dhe fakti se i riu nuk njihej si person me probleme mendore. Top Channel raportoi se 24 vjeçari ishte përdorues droge por jo me të meta mendore.

Nga ana tjetër motivi i ngjarjes mbetet në pistën e konflikteve për tokën. Gazetari i Report tv raportoi se shkaku  ka qenë ushqimi për pulat dhe një konflikt i momentit në lidhje me to.

Deri më tani policia ka dhënë vetëm një sqarim paraprak. Motivi i vërtetë dhe shkaqet e plota ende mbeten të pazbardhura, njëlloj si dhe fakti se RENEA, DELTA FORCE dhe FNSH ende nuk e kanë prangosur të riun.

Mundësia që me të gjetur autorin të ketë dhe një përplasje me armë mbetet e lartë, pasi 24 vjeçari nuk ka ndërmend të dorëzohet. I riu është njohës i zonës pasi ka punuar si bari dhe errësira është në këto momente, “aleati më i mirë”.

Ndërkohë në fshatin ku ndodhi tragjedia ka shkuar me urgjencë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj si dhe kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.