Policia e Shijakut zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas në ambientet e një lokali.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2019, identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas.

Janë ndaluar me iniciativë shtetasit:

• J.Gj., 21 vjeç, banues në Pjezë,  Shijak;

• E.B., 22 vjeç, banues në Pjezë, Shijak;

Shtetasit e ndaluar, më datë 13.08.2019, në një lokal në Gjepalaj pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasit E.A., 22 vjeç, A.R., 21 vjeç, V.S., 20 vjeç, J.T., 22 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak i kanë kanosur dhe  qëlluar me armë zjarri në ajër.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja model 56.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale "Kanosja" në bashkëpunim, "Prishja e qetësisë publike", dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" parashikuar në nenet 84, 25, 274 dhe 278 / 2 të Kodit Penal.