Zbulohen detaje tronditëse nga dëshmia e 32-vjeçarit për vrasjen e shokut

Postuar: 12/03/2018 - 19:59

   Të tjera detaje tronditëse janë zbuluar nga dëshmia e 32- vjeçarit nga Malësia e Madhe, Albert Zekaj, për vrasjen e shokut të tij nga Fieri, Kreshnik Beqiraj.

Mësohet se i riu i akuzuar për vrasje, ka shpjeguar për grupin hetimor se pas krimit të rëndë, ai ka shkuar edhe katër herë të tjerë te vendi ku kishte groposur mikun që e strehoi atë për një kohë të gjatë në shtëpinë e tij në Fier.

“Pasi e groposa, kam shkuar edhe katër herë të tjera në kohë të ndryshme, për të kontrolluar nëse ishte zbuluar vendi ose jo. Hera e fundit ka qenë para një muaji. Kisha merak që e kishin zbuluar, ndaj nuk më zinte vendi dhe jam detyruar të kthehem vetë për të parë. Kur e shihja që në vend nuk kishte gërmime, qetësohesha”, është shprehur gjatë dëshmisë së tij 32-vjeçari Zekaj.

Edhe pas krimit, ai ka qëndruar për rreth tre muaj në banesën e horrorit. Në muajin gusht, Zekaj është larguar nga Fieri dhe ka kërkuar ndihmë në një shoqatë fetare në Tiranë, përmes së cilës kishte përfituar strehim dhe ushqime. Por, nga ana tjetër edhe vizitonte shpesh familjen e tij në fshat në Malësinë e Madhe, aty ku edhe u arrestua.

Mësohet se 32-vjeçari është shprehur se teksa strehohej në një shoqatë fetare në Tiranë, ai kishte pikasur se ngjarja e tij po zbulohej, pasi kishte parë prani të Policisë në këtë qendër. Më pas, ai ishte detyruar të largohej dhe të kërkonte ndihmë te disa të afërm të tij për ta strehuar.

Siç ai ka deponuar, ai është detyruar t’ua rrëfejë krimin e rëndë, që kishte bërë disa të afërmve, te të cilët kishte pasur besim se do ta strehonin. Por ata nuk kanë pranuar ta ndihmojnë duke i thënë se duhej të vetëdorëzohej në Polici. Dy ditë më parë, gjatë seancës për masën e sigurisë, Zekaj është shprehur se “jam i penduar dhe u kërkoj falje familjarëve. Ligji le të veprojë”.

Ai ka dhënë më pas dëshmi tronditëse para trupit gjykues për mënyrën se si ka kryer vrasjen e 36-vjeçarit Beqiraj, më 22 qershor të vitit të kaluar, por që u zbulua vetëm pas gjetjes së trupit, katër ditë më parë në një kanal në fshatin Daullas në Fier. Zekaj ka pranuar autorësinë e vrasjes së shokut të tij, me të cilin kishin ndarë shtëpinë në Fier dhe madje, ka treguar dhe si e ka kryer krimin.

Ai ka shpjeguar se natën e vrasjes kishte shkuar në gjendje të dehur në shtëpinë ku jetonte bashkë me Kreshnik Beqirajn. Nën efektin e alkoolit, ai tha se e kishte goditur shumë herë me çekiç, ndërsa 36-vjeçari ishte në gjumë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas e ka lënë trupin për tri ditë të fshehur në shtëpi dhe pastaj e ka copëtuar.

Më tej, e ka mbështjellë me batanije dhe i ka vendosur në një valixhe dhe pjesët e trupit i ka hedhur në një zonë të fshatit Daullas. Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve, pasi i ati i Kreshnikut kishte humbur kontaktet me të birin, ka shkuar në shtëpinë ku jetonin dy të rinjtë për t’u interesuar.

“Isha i dehur. Piva në një lokal te ‘Zogu i Zi’. Kur shkova në shtëpi, ai po flinte. Mora një çekiç dhe e godita disa herë në kokë. Nuk e di sa herë, por ndoshta nja dhjetë herë. E godisja me nerva. Pastaj, kur u sigurova që vdiq, e fsheha poshtë krevatit që të ngrinte gjaku. Tri ditë e mbajta në shtëpi se nuk kisha si ta nxirrja trupin nga aty. Një ditë më pas erdhi i ati dhe e kërkoi, por unë i thashë që ishte në punë. Kur iku ai, mori një fotografi dhe e dija që do denonconte, prandaj kërkova mjete prerëse, sëpatë dhe thikë. E copëtova trupin ditën e tretë dhe e futa në valixhe, pastaj e mbështolla me batanije dhe shkova natën e varrosa në kanal. Isha i çoroditur nga ajo që kisha bërë. U pendova që atë ditë. Edhe tani ndihem në faj. Jam penduar dhe u kërkoj falje familjarëve”, deklaroi në gjykatë 32-vjeçari Zekaj. /PANORAMA

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Detaje të reja zbulohen për sherrin e ndodhur mes dy personave në zonën e "Unazës së Re" në kryeqytet rreth orës 10:15 të paradites së so

Një aksident i rëndë ndodhi paraditën e sotme në Librazhd, ku një person gjeti vdekjen, ndërsa mbeti i plagosur një tjetër.

Biznesmeni Andrea Zoga, i cili ra mbrëmë pre e dhunës ka treguar detaje nga ngjarja e rëndë.

Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur me mjete të forta pas një konflikti për motive të dobëta, te zona e njohur si "Astiri" në Tiranë.

Pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Librazhd, ku një punonjës i një firme humbi jetën teksa ra në kontakt me energjinë elektrike tre perso

Një biznesmen është dhunuar nga persona të panjohur gjatë mesnatës, pranë banesës së tij në Komunën e Parisit, në Tiranë.

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 08:15 të mëngjesit të sotëm në fshatin Aranitas të Mallakastrës.

Policia ka identifikuar autorin e vrajses së ndodhur një ditë më parë në një nga malet e fshatit Doberdol, ndërsa viktima Tahir Bajraktar

   Plumba ndaj “Benz”-it të parkuar në oborrin e shtëpisë, 28-vjeçari denoncon rastin në polici.

   Një grindje me përmasa të mëdha, në të cilën janë përfshirë 11 persona, ka ndodhur në Babrru.