Mediat britanike arritën të siguronin emrin e një shqiptari, i dyshuar si bos krimi, i cili u dëbua nga Mbretëria e Bashkuar pas dyshimeve se ishte i përfshirë në mbushjen e këtij vendi me kokainë e kanabis.

Bëhet fjalë për 36-vjeçarin Fation Dauti, i cili u dëbua nga Britania pasi humbi apelin që kishte bërë ndaj Komisionit Special Apelues për Emigracionin, SIAC, për kartën e tij të rezidencës, që iu hoq nga Home Office, departamenti përgjegjës për emigracionin, sigurinë, ligjin dhe rendin.  

Për mbajtjen e fshehtë të emrit të tij kishte një urdhër anonim, nëpërmjet të cilit ai mund të identifikohej si B9, deri më sot, kur Gjykata e Apelit vendosi që ta heqë këtë vendim.

Britanikja “Sunday Express” shkruan se Dauti, i cili njihet edhe si Fation Dautaj, përfitoi rezidencë të përkohshme në vitin 2012, pasi ishte martuar me një letoneze. Leja iu bë e përhershme në gusht të 2017-s, por Home Office e revokoi në shtator të 2019-s, bazuar në informacionet e inteligjencës së Agjencisë Kombëtare të Krimit, NCA, që po hetonte rrjetin kriminal, por nuk ishte në gjendje që të ngrinte akuza ndaj tij.

Vetë Dauti, sipas medias britanike, ka mohuar përfshirjen në krim dhe gjatë apelimit insistoi se për marrjen e vendimit kundër tij u përdor njohja sociale apo lidhja fisnore që mund të kishte me disa prej anëtarëve të këtij rrjeti.

Kjo përfshinte kushëririn e tij Alket Dauti, 33-vjeçarin e arrestuar nga oficerët e NCA në Qershor të 2018-s në Penge, në jug të Londrës, 2 muaj pas takimit që kishte pasur me Dautin, përpara se të ekstradohej drejt Belgjikës, në janar të 2019-s, ku vuan aktualisht dënimin me 10 vjet heqje lirie për trafik të qenieve njerëzore.