Detaje të reja dalin në dritë nga zhdukja e biznesmenit italian Davide Pecorelli. Burime policore bënë me dije për ‘News24’ se në makinën e gjetur të djegur në Reps, në zonën e Gjegjanit, brenda saj kishte dhe eshtra.

Mësohet se në makinë është gjetur një orë dhe një celular. Mes të tjerash bëhet e ditur se biznesmeni ka udhëtuar nga Tirana në Vlorë, më pas në Shkoder,dhe ka qëndruar dy netë në Pukë në hotel Turizmi. Burimet konfirmojmë se biznesmeni po kthehej në hotel kur është djegur mjeti, ndërkohë që lëvizjet e tij konfirmohen përmes GPS. Ndërkohë që partnerja e tij shqiptare ka deklaruar se ai kishte interes ta zhvillonte biznesin në Veri të Shqipërisë.

Eshtrat do dërgohen në Itali për ekspertizën e ADN-së dhe në këtë mënyrë mund të identifikohen kujt i përkasin. Pecorelli ka partneren me origjinë shqiptare, me të cilën ka dhe një fëmijë. Kjo duket se e ka lidhur atë më shumë me Shqipërinë. Ai kishte mbërritur në Shqipëri më 7 janar. Më pas udhëtoi me një automjet tip “Skoda” të marrë me qira. Kaq është e ditur zyrtarisht për të, kurse më tej, vendndodhja dhe fati i tij mbeten akoma mister.