Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një pikë servisi makinash në Elbasan u përfshi nga flakët ku për pasojë u dogjën disa automjete.

Mësohet se servisi ishte në pronësi të 37-vjeçarit Elton Kila, banues në lagjen “Qemal Stafa”, i cili është arrestuar vetëm 5 ditë më parë gjatë aksioneve të befasishme të policisë së Elbasani në lokale dhe akse rrugore.

37-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi për në Itali, pasi Prokuroria e Pescarës/Itali, ka lëshuar urdhrin e ndalimit ndërkombëtar datë 11.09.2018, për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale”, “Trafikim i narkotikëve”, “Mashtrim” dhe “Kallëzim i rremë”.

Sipas policisë nuk përjashtohet mundësia e zjarrvënies për konflikte të mëparshme të tij ose prishje pazaresh, nisur nga e kaluara e Kilës.

Në postimet e 37-vjeçari në rrjetet sociale, bie në sy jeta e luksit, me makina të shtrenjta të markave “Ferrari”, “Lamborghini”, e pushime ekzotike.