Kseanela Sotirofski, në garën për rektore: Hyj si durrsake, si ish-themeluese, grua e nënë, me ide të reja!

29/03/2016 - 13:40

Përballë dy meshkujve, në garën për rektor në universitetin e Durrësit, është profesoreshë Kseanela Sotirofski, më e re në moshë, por si një prej ish-themelueseve të universitetit të Durrësit. “Pas një dekade si pjesë akademike e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, pra që prej ditës së themelimit të tij, kam vendosur të kërkoj mbështetjen e stafit akademik dhe studentëve për detyrën e Rektorit të universitetit. Kam fatin të jem e vetmja ndër kandidatët e nderuar për këtë detyrë që kanë një kohëzgjatje kaq të madhe si pjesë e UAMD-së. Në ndryshim nga dy kandidatët e tjerë, unë jam femër, jam nënë, dhe ka ardhur epoka e femrave. Kam energji pozitive  dhe 80% e stafit janë të rinj në universitetin e Durrësit me ide të reja. Vij si durrsake në këtë garë. Nga eksperienca, jam më e vjetra që prej gushtit të vitit 2006, themeluese e këtij universiteti, me profesor Agim Kukelin e shumë të tjerë.

Prof. Sotirofski vjen pas një eksperience dhe kontributi të gjatë si në Fakultetin e Studimeve Profesionale dhe tani së fundmi, prej katër vitesh, edhe në drejtim të Fakultetit të Edukimit. Kjo e bën atë, duke qenë edhe më e re në moshë se sa dy kundërshtarët burra, të jetë një kandidate më energjike. “Profesorë të nderuar, dhe shumë njerëz të tjerë më kanë mbështetur që unë të kandidoj, janë Fakulteti i Edukimit që drejtoj prej katër vjetësh, por edhe nga komuniteti i Durrësit më kanë dhënë mbështetje të madhe, në këtë garë të hapur. Kam pasur fatin dhe kënaqësinë t’i kryej të gjitha detyrat akademike, që nga detyra e nderuar dhe e shenjtë e pedagogut, detyra e drejtuesit të departamentit dhe së fundi dekane e Fakultetit më të madh të UAMD, Fakulteti i Edukimit. Kam pasur kënaqësinë të punoj e jetoj përditë me qindra ish-studentë dhe student aktualë të shkëlqyer të UAMD. Dhe njëherazi edhe me kolegë të mirë që morën përsipër barrën e rëndë të ndërtimit të një universiteti të ri në vendin tonë.

Jam lindur dhe shkolluar nga një familje intelektuale e dy prindërve që kanë ndërtuar gjithçka me forcat e tyre. Që prej moshës 14-vjeçare, kam nisur rrugën time të pavarur shkollore larg familjes sime, duke bashkëjetuar me kultura nga të gjitha zonat e trevat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, si dhe rajonit gjatë studimeve të mia universitare, pasuniversitare e doktorale në Turqi. Prej 10 vitesh jetoj në Durrës me bashkëshortin dhe dy fëmijët tanë, dhe e njoh dhe e dua jetën në këtë qytet. E dua zhvillimin e tij.”

Rreth 15 mijë studentë dhe 270 pedagogë, kanë të drejtë vote për zgjedhjet në postet e larta drejtuese të universitetit të Durrësit

“Kërkoj të shërbej në detyrën e Rektorit të UAMD-së, sepse mendoj se një grua, një nënë, një akademike e re (për nga mosha dhe jo nga vitet e angazhimit) mund të japë shumë për ta kthyer universitetin tonë në një pikë referimi, një vlerë të shtuar për Durrësin dhe rajonin tonë. UAMD nuk mund të jetë e të shihet si një universitet dytësor, por si një institucion arsimor i barabartë dhe i denjë të konkurrojë me të gjithë institucionet arsimore në Shqipëri dhe rajon. Sigurisht kemi shumë për të mësuar dhe për të bërë, dhe unë mendoj se suksesi vjen nga puna nga grup, në skuadër. UAMD duhet të jetë një pikë fryëmëmarrjeje mes tri grupeve shumë të rëndësishme: stafit tonë akademik, studentëve tanë dhe tregut e institucioneve në Durrës e më gjerë. UAMD duhet të jetë i denjë për një qytet më kulturë dhe histori mijëravjeçare si Durrësi. UAMD duhet të jetë i fokusuar pikë së pari në kërkimin shkencor, ekselent në mësimdhënie, dhe i përkushtuar dhe bashkëpunues me komunitetin. Institucionet e rajonit tonë, bizneset dhe korporatat, shoqëria civile, duhet të gjejë një universitet të hapur, bashkëpunues dhe kontribuues në të mirën tonë të përbashkët publike”.

Tre janë kandidatët për postin e rektorit në universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Pranë Komisionit Institucional Zgjedhor të universitetit “A. Moisiu” janë regjistruar kandidaturat e Prof. Elmas Lecit, Prof. Bardhyl Cekut dhe Prof. Kseanela Sotirofski, ish-themeluese e këtij universiteti. Që të tre kandidatët janë pjesë e stafit akademik të vetë universitetit “A. Moisiu” të Durrësit. Gjithsesi, deri më 20 prill, të tre kandidatët do të shpalosin platformat e tyre, dhe kjo padyshim që do të ndikojë te zgjedhësit.

K.H.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: