Grupi i xhirimit “Derë e hapur” regjistroi paraditen e së enjtes sekuencat e fundit të këtij filmi pranë portit të Durrësit, i cili në ditët e ardhshme do të paraqitet në dy festivale të rëndësishme. Drejtorja e fotografisë ka fiksuar nga një prej ballkoneve të pallatit “Fly” lëvizjet e një automjeti në port, pjesë e skenarit të filmit, një pjesë e të cilit u xhirua në mjediset e portit në fillim të tetorit 2017.

Producenti Eno Milkani tha për APD-në se filmi në proces montimi do të paraqitet këto ditë në seksione të veçanta në Festivalin e Selanikut dhe më pas në atë të Kanës.

Filmi me regjisor Florenc Papën, sjell në vemendje një temë të mprehtë sociale, atë të trajtimit të grave dhe vajzave në zonat periferike dhe rurale të vendit. Në kastin e filmit bëjnë pjesë aktoret Luli Bitri, Jonida Vokshi, Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha, etj.

Producenti Milkani shtoi se shumica e xhirimeve janë kryer në Durrës e Tiranë, në Librazhd, Prrenjas, si dhe në fshatin Lin të Pogradecit.

Prej shumë dekadash, por edhe kohët e fundit, në portin e Durrësit janë xhiruar filma dokumentarë dhe filma artistikë të metrazhit të gjatë, produksione vendase dhe të përbashkëta me kineastë të huaj.