“E enjtja muzikore”, recital i pedagogëve

28/05/2012 - 00:00

Kanë provuar për javë me rradhë emocione të shumëfishta, ndërsa shihnin në skenë nxënësit e tyre, por këtë herë violinisti Arben Diko dhe pianistja Ilda Mema kishin zgjedhur të vinin së bashku para artdashësve durrsakë në një koncert recital. Nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” rikthyen në Durrës traditën e bukur të të enjteve muzikore, që mungonte në qytet prej rreth 22 vjetësh

Në ndalesën e rradhës të maratonës së të “Enjtes Muzikore”, performuan në recitalin e tyre të parë së bashku, dy nga pedagogët më të mirë të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”. Ata kanë provuar për javë me rradhë emocione të shumëfishta, ndërsa shihnin në skenë nxënësit e tyre, por këtë herë violinisti Arben Diko dhe pianistja Ilda Mema kishin zgjedhur të vinin së bashku para artdashësve durrsakë në një koncert recital. Me një repertor të përzgjedhur me kujdes nga kompozitorët më të famshëm botërorë si Moxart, Cajkovski, Prokovief, Brams etj, Diko dhe Mema arritën të emociononin publikun me interpretimin e tyre mjaft të ndjerë. Kjo eksperiencë e parë së bashku, e Dikos dhe Memës, nuk do të jetë e fundit, pasi siç rrëfejnë ata vetë synojnë të realizojnë recitale të tjera, ndoshta duke nisur që nga muaji gusht. Në të njëjtën kohë, Durrësi nuk do të jetë ndalesa e tyre e vetme, sepse ata kanë planifikuar të zhvillojnë një tur nëpër disa qytete të vendit si Shkodër e Korçë për ta përmbyllur më pas në Tiranë.

“Mes mësimdhënies, kurseve të shumta me nxënësit, provave për të enjten muzikore të rradhës ishte e vështirë të gjenim hapësira për t’u ushtruar së bashku,- thotë Mema,- por ia arritëm të realizonim diçka të bukur, e mbi të gjitha të kënaqnim artdashësit”. Në të njëjtën kohë Ilda shprehet se kënaqësia që i kanë falur të gjitha këto të enjte muzikore e ka shpërblyer më së miri lodhjen dhe vështirësitë e punës. Ndërkohë violinisti Diko nënvizon se zhvillimi i këtyre mbrëmjeve muzikore ndikoi për të pasuruar jetën artistike të qytetit dhe njëkohësisht për të prezantuar para publikut talentet e reja, ata që në të ardhmen do të jenë artistët e këtij qyteti. “Ky është recitali i parë i mësuesve, pasi gjithë të tjerat kanë qenë performanca të nxënësve tanë. Mund të them se më shumë emocione kam provuar kur i kam parë nxënësit e mi të performojnë në skenë, sepse në ato raste përgjegjësia ishte e shumëfishtë, para prindërve, para kolegëve dhe artdashësve.

Ndërsa kur performon vetë përgjegjësia e performancës mbetet vetëm tek ti, në rastin kur performojnë nxënësit emocionet janë më të forta, ashtu si dhe kënaqësia kur gjithçka shkon mirë, - thotë Diko. Gjatë karrierës së tij artistike violinisti Diko ka dhënë koncerte recitale me disa nga pianistet më të njohura të vendit tonë si Nora Çashku, Anita Tartari, Aksinja Xhoja etj. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e orkestrës simfonike të Oshavës dhe Thunder Bay, në Kanada. Ndërkohë përsa i përket pianistes së re Ilda Mema, një nga arritjet më të rëndësishme në karrierën e saj artistike të deritanishme është diplomimi i saj me Medalje Ari në Akademinë e Arteve dhe diplomimi me nota maksimale në universitetin e muzikës TSAKALOF, në Greqi. Ajo është aktivizuar shpeshherë në ansamblet e muzikës së dhomës në koncerte të ndryshme si dhe ka realizuar 12 koncerte recitale solo.

Mbushja e sallës së odeonit “Nikolin Xhoja” (madje pati artdashësve që e ndoqën koncertin nga sheshpushimi i shkallëve) është tregues se megjithëse muzika klasike nuk përqafohet nga një masë e madhe njerëzish ajo ka gjetur një terren të mirë në Durrës. Për shumë të enjte me rradhë nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” rikthyen në Durrës traditën e bukur të të enjteve muzikore, që mungonte në qytet prej rreth 22 vjetësh.

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, bën një denoncim publik mbi restaurimin e kalave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit nga

Ndërron jetë në moshën 69-vjeçare këngëtari i njohur dibran, Qerim Sula.

Artisti i madh durrsak, Haxhi Rama feston sot 77-vjetorin e lindjes.

Vazhdon puna për zbatimin e projektit për restaurimin e pjesëve të dëmtuara të murit të kalasë së Durrësit.

Aktorja e mirënjohur durrsake, Aishe Stari feston sot ditëlindjen e saj.

Artisja e njohur shkodrane Rita Ndoci cila jeton prej vitesh në emigracion, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” për shembjen e Te

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore del në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se mund të restaurohet me sukses.

Ka nisur puna për pastrimin e pjesëve të murit të Kalasë së Durrësit që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në vitin 2017, nga sheshi para portit të Durrësit u larguan shtatë skulptura parku, të cilat i hapën rrugë zbatimit të projektit që morri

Ashtu si çdo gjë po ndodh online kohët e fundit për shkak të koronavirusit, e njëjta ka ndodhur edhe me Eurovizionin.