15 piktorë shijakas kanë hapur dje në galerinë “Nikolet Vasia” të Durrësit një ekspozitë retrospektive të titulluar “Rrugëtim”. Dashamir Gurabardhi, Anila Kamberi, Ermir Llaftiu, Elton Shahi, Jordan Findiku, Kujtim Milaqi, Oltion Deliallisi e Sonja Morina, si dhe përfaqësuesit e dinastisë së piktorëve Faja, Ergysi, Arditi, Migena, Rudolfi, Juliani dhe Gentiani, që prihen nga piktori i mirënjohur 78-vjeçar Agim Faja.

Organizatori, piktori Ergys Faja, tha se në ekspozitë janë paraqitur 112 punime të ndryshme, në teknikat vaj, akrilik, akuarel, grafikë, linoleum, apo vizatime.

Autorët shijakas, një pjesë e të cilëve tashmë janë larguar edhe jashtë vendit kanë patur si synim të prezantohen së bashku në këtë veprimtari, që ka ngjallur mjaft interes mes shikuesve durrsakë.

Tablotë e përmasave të ndryshme kanë në qendër peizazhe nga treva e Shijakut, nga qyteti bregdetar i Durrësit, kompozime dhe natyra të qeta.

Ekspozita “Rrugëtim” do të qëndrojë e hapur 10 ditë në sallën e galerisë së arteve “Nikolet Vasia” të Durrësit.