65 vjet teatër! Shkëlqimi i teatrit "Aleksandër Mosiu" në Durrës

10/01/2018 - 15:57

2017 që u mbyll, shënoi një epokë të re për teatrin e Durrësit, i cili lavdinë e tij e ka në skenë, teksa salla për çdo shfaqje është plot. Spektatori është kthyer në teatër si kurrë më parë, duke gjetur aty emocionin e vërtetë të të parit e të ndjerit të një shfaqje.

Drama “Askushi” i Bashkim Hoxhës, drama “Natë Misterioze” nga Ferdinant Hysi me regji të Ben Apollonit, “8 femrat” me regji të Driada Dervishit, festivali i fëmijëve “Giffoni”, premiera për fëmijë “Kopellia” “Shirli Valentina””Boing boing”e shumë e shumë të tjera shfaqje kanë korrur sukses të madh e kanë mbajtur për net me radhë frymën e artdashësve durrsakë.

Shfaqjet e planifikuara kanë shtyrë edhe më tej datat e tyre, për shkak të interesit të madh të publikut durrsak, kur kanë gjetur sallë të lirë, ndërsa më pas trupa e aktorëve kanë shkuar nga një qytet në tjetrin, për tu ndjekur po ashtu me të njëjtin interes. Teatri është kthyer në folenë e ngrohtë të një argëtimi cilësor në Durrës.

Strategjia e ndjekur nga drejtori Bashkim Hoxha për bashkëpunime me trupat e teatrit jo vetëm brenda vendit por edhe nga Kosova kanë gjetur terrenin e përshtatshëm për të arritur sukses. Artdashësit kanë përjetuar emocionet e thella që dinë të krijojnë regjisori dhe aktorët, magjinë që përcjellin efektet e ndriçimit e dekoret e realizuara, muzika dhe efektet speciale. Nesër në 11 janar, teatri "Aleksandër Moisiu" në Durrës do të kujtojë 65-vjetorin e themelimit.  Në teatër pritet një ceremoni për këtë ditëlindje, me pjesëmarrje edhe të autoritete vendore.

Infromacione rreth shfaqjeve të vendosura në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu", Durrës.

KINEMAJA E VJETËR – SKENA E PARË

Skena e sallës që më vonë mori emrin “Kino 14 Nëntori” u bë mikpritësja e parë e teatrit profesionist të Durrësit që nga 11 janari i vitit 1953. Shumica e aktorëve themelues nuk jetojnë më, ndërsa disa nga spektatorët e atyre viteve tashmë të thinjur kujtojnë radhët e gjata për bileta në pritje të mbrëmjes kur bashkëqytetarët e tyre aktorë shndërroheshin papritmas në personazhe nga më të ndryshmit e më të çuditshmit.

Nikolin Xhoja, do të bëhej një nga aktorët më të shkëlqyer të komedisë shqiptare, i pavdekshëm më pas edhe në ekranin e kinemasë me rolin e xha Beqos në filmin “Kapedani”. Ndërsa  , Tod Thanasi, një nga intepretët më të mirë të karaktereve të spikatura, një prej të cilëve në dramën “Mulliri i Kostë Bardhit”. Që të ishin të padiplomuar në shkolla arti, njëlloj si kolegët e tyre që i dhanë jetë premierës “Vajza nga fshati” të autorit të njohur Fatmir Gjata.

Ishte 12 prill 1953 dhe trupa e re profesioniste, nën drejtimin e kryeregjisorit të Teatrit Popullor, Pandi Stillu, do të korrte duartrokitjet e para. Kjo komedi u shfaq 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues, dëshmojnë statistikat e teatrit. Rruga ishte çelur.

Regjisorët Panajot Kolo, Sokrat Mio, Misto Zoto, Kadri Pirro, Haxhi Rama, Mario Ashiku, Kujtim Spahivogli, Serafin Fanku, Enver Plaku, Driada Dervishi, etj. kanë sjellë në skenën e teatrit “A. Moisiu” drama dhe komedi mjaft të dashura për publikun shqiptar si “Prefekti”, “Martesa”, “I sëmuri imagjinar”, Kartela e verdhë”, “Pulëbardha”, “Vjehrra dhe nusja”, “Prindër edukatorë”, “Ylli pa emër”, “Rrënjët”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Familja e Peshkatarit”, “Dreqnit e Kënetës”, “Dredhitë e Skapenit”, “Çështja e Ivanovit”, “Votra e Huaj”, “Festa e Fenerëve”, “Invadimi”, “Hijet e Natës”, “Shërbëtori i Djallit”, “Mulliri i Kostë Bardhit”, “Çështja e inxhinier Saimirit”, “Karnavalet e Korçës”, “Koha e komisarëve”, “Ylli pa emër”, “Revizori”, “Një shok i klasës sime”, “Mirëserdhe Elona”, “Pulëbardha”, “Stacioni i fundit”, “Qyteti pa dashuri”, “Hotel Ballkan”, “Shokë lufte”, “Dështimi i një kryqëzate”, “Aeroporti”, “Nusja e humbëtirës”, “Besëlidhja shqiptare”, “Dorina”, “Gërsheti i luftërave”, “Tri ditët e kiametit”, “Trokitje në dyert e dhimbjes”, “Të jesh nënë”, “Dy vëllezër e gjysmë”, “Vajza pa prikë”, etj.

Shumë nga aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” janë bërë të njohur në shkallë kombëtare përmes interpretimeve dhe individualitetit të spikatur artistik.

Loja aktoriale dhe nuri skenik i Artistit të Popullit, Nikolin Xhoja në rolin e Podgolisenit te “Martesa” e Gogolit njihet si një nga majat e intepretimit të komedisë.  Ndërsa “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi pas formimit dhe kontributit 23-vjeçar në këtë teatër u nderua me çmimin e parë në Festivalin e teatrit eksperimental në Kajro për monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”.

Bashkëshortët Vera dhe Spiro Urumi, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Marta Burda, Filika Dimo, Guljelm Radoja, Liri Lushi, Ali Bega, Xhevdet Ferri, etj. janë disa nga aktorët e tjerë mjaft të vlerësuar që i dhanë këtij institucioni një vend të nderuar në teatrin tonë kombëtar. Bashkë me regjisorët dhe aktorët një meritë të veçantë në suksesin e teatrit kanë pasur edhe skenografët Zef Ujkaj, Ilia Rota, Fatos Mati, Thanas Popi, etj. si dhe punonjësit e “prapavijës” siç thirren edhe sot sektorët e dekorit, ndriçimit, fonisë dhe rekuizitës, pa të cilët shfaqjet teatrale nuk do të ishin të plota.

Veprimtaria e teatrit “Aleksandër Moisiu” lidhet kryesisht me godinën  aktuale të saj, e cila është përuruar  më 8 shkurt të vitit 1965. Salla me cilësi shumë të mira akustike dhe e pajisur me aparaturat e domosdoshme teatrale jo vetëm që i dha një impuls të ri punës së trupës, por afroi gjithnjë e më shumë spektatorë. 

Aleksandër Moisiu aktori shqiptar me famë Botërore e shtriu veprimatrinë në vendet gjermanishtfolëse  në fillim të shekullit 19, duke u bërë shpejt një prej aktorëve më të adhuruar për zërin dhe talentin e tij. Sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, shkolla e mesme e pergjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Regjisori dhe aktori i njohur italian Michele Placido në një intervistë ekskluzive për Fax News foli për çështjen e Teatrit Kombëtar, duk

Violinisti i njohur shqiptar, Jonian Ilias Kadesha, do të performojë sot në mbrëmje në Tiranë, për publikun kryeqytetas.

Aktori Edmond Halili vjen sërish këtë vit me një show për të gjithë qytetarët dhe grupmoshat në Durrës.

Një mesazh nga Durrësi “që përcjell një koncept të qartë për mbajtjen gjallë në vetëdijen e brezave të prejardhjes shqiptare, të përçuarj

"Pengu" i autorit Saimir Gongo për tre net me radhë, mori vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut durrsak në skenën e teatrit “Aleksandër

Poeti Xhevahir Spahiu nuk i ka mbajtur lotët kur ka lexuar lajmërimin e vdekjes së shkrimtarit Fatos Arapi ngjitur pas një shtylle. 

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare shkrimtari i njohur Fatos Arapi.

Përpara ceremonisë vjetore të American Music Awards, abc NEWS ka lajmëruar se kush do jenë yjet që do prezantojnë eventin e madh muzikor.