Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit ka festuar ditëlindjen e tij të 65-të, në një takim jubile midis brezash. Pavarësisht se ky institucion, i kthyer në djepin e kulturës durrsake mbushi 65 vjet nga krijimi i tij, suksesi i shfaqjeve që kanë tejmbushur sallën me qindra herë në vit, është tregues i qartë se publiku e ka marrë mesazhin e përçuar nga shfaqja në shfaqje.

Drejtori i teatrit, Bashkim Hoxha, ka sjellë në kujtesë themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, të cilët u kthyen në idhujt e brezave të tërë me talentin e tyre, duke nënvizuar se edhe brezat e aktorëve të tanishëm janë po aq të talentuar e të përgatitur.

Aktori Lutfi Hoxha, 84-vjeçar, me mbi 100 role mbi shpinë, është i vetmi i mbetur gjallë nga brezi i themeluesve të teatrit, në vitin e largët 1953. Edhe ai ka një mesazh për brezin e ri të teatrit, me të cilin ndan edhe kohën pas daljes në pension.

Aishe Stari, Mirush Kabashi dhe Driada Dervishi janë disa prej ikonave të teatrit, të cilët dhanë mesazhe të qarta për vijimësinë e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.  

Mbështetje për projektet kulturore ka dhënë edhe bashkia Durrës. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se me prioritet është parë teatri dhe bashkia do të vijojë të financojë për kulturën.

2018 është konsideruar si viti i Skënderbeut dhe këtë vit janë planifikuar dy shfaqje të reja për të nga trupa e aktorëve të teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Me pesë premiera në vit, me bashkëpunime të teatrove kryesorë në vend e nga Kosova spektatori është kthyer në teatrin e Durrësit si kurrë më parë, duke gjetur aty emocionin e vërtetë të të parit e të ndjerit të një shfaqje.

K.H.