Për të tretin vit me radhë, ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze është ndalur në Durrës, ku ka nisur gërmimet në Forumin Mesjetar, në një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike kulturore e historike.

Gërmimet kanë filluar këtë fillim jave dhe pas 4 ditësh, gjatë procesit fillestar të punës që ka të bëjë me pastrimin e sipërfaqes, ku do të sondohet nepërmjet gërmimeve arkeologjike, kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin. Sipas burimeve të mirëbesuara, specialistët kanë konstatuar se janë zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romake. Këto mure, sikurse edhe shikohet në pamjet e videos më poshtë, janë në një nivel me objektin e termave romake të zbuluara poshtë ndërtesës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Gërmimet, të cilat mbikëqyren edhe prej dy arkeologëve Brikena Shkodra dhe Eduart Shehi, po kryhen në pjesën jugore të Forumit për të bërë lidhjen midis banjave që i përkasin periudhës romake që gjenden poshtë pallatit të kulturës.

Gërmime po zhvillohen edhe pranë lulishtes së pallatit të sportit “Ramazan Njala”, aty ku është zbuluar vite më parë një prej mozaikëve më të bukur të Durrësit. Këtë radhë, gërmimet po bëhen në thellësi për të parë lidhjen e ndërtesave midis periudhës romake dhe asaj bizantine. 

Vetëm pas një muaji pritet që ekspedita franceze të dalë me konkluzionet përfundimtare mbi zbulimet arkeologjike, në të cilat fle qyteti antik i Durrësit.

Gërmimet do të vijojnë edhe më pas, dhe arkeologët shprehen se poshtë këtij civilizimi mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike si dhe asaj ilire.

K.H.