Edhe artistët janë të ndarë në debatin për Teatrin. Artistët e pavarur propozojnë një zgjidhje kompromisi për çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. Në tryezën e sotme të thirrur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, aktori i njohur Artan Imami ka lexuar një deklaratë ku paraqiti kushtet për të gjetur konsensusin dhe ftoi artistët dhe aktorët e tjerë në këtë proces që ta firmosin atë.

Me anë të kësaj deklarate, ai u shpreh dakord me ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, por duke parashtruar si kërkesë që territori të mos preket dhe që aktorët të jenë pjesë e komisionit negociues.

Sipas Imamit, prona që posedon Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar duke mos cenuar tjetërsimin. “Nënvizoj, duke mos cenuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone apo vendosjen e saj në favor të partnerit privat për zhvillimin e pjesës tjetër të projektit”, tha Imami.

Ai u shpreh se teatri është një institucion kombëtar dhe për këtë arsye kërkoi një proces transparent duke qartësuar jo vetëm grupin e artistëve, por edhe gjithë publikun në lidhje me procesin e nisjes së ndërtimit dhe afatin konkret të përfundimit të kësaj godine dhe vënien e saj në funksion të publikut.