Biblioteka Publike Durrës, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, organizoi përurimin e dy romaneve të autorit Vaso Papaj. Ata titullohen “Kiri” dhe “Qiell mbi furtunë” dhe janë pjesë e trilogjisë “Dritë në humbëtirë”. Pjesën e tretë të kësaj trilogjie, autori Vaso Papaj e ka ndër duar, po e shkruan dhe, duke qenë se në letërsi nuk ka afate kohore, presim ditën kur ai ta sjellë mes nesh atë.

Autori i trilogjisë “Dritë në Humbëtirë”, Vaso Papaj thotë se trilogjia është një histori e dhimbshme e periudhës së luftës së klasave, por që ka brenda edhe shpresën e madhe.

Poetja dhe kritikja letrare znj. Flora Dervishi, solli një analizë të thellë të dy romaneve. Poeti Agim Bajrami gjithashtu erdhi me një recensë mbi romanet e Vaso Papaj, përsa i përket linjës së personazheve dhe fatit të tyre në këtë trilogji. Lidhur me librat e Papajt, Bajrami theksoi se proza e tij është shprehje e ankthit ekzistencialist të individit në diktaturë.

“Ashtu si në romanin “Një dimër mes dimrash” simbolika e natës dhe e dimrit, e baltës dhe harrimit, së bashku me cinizmin e një sistemi diktatorial mbi njerëzit e tij vazhdon të mbetet lajtmotivi kryesor i këtij autori. Ne që e kemi përjetuar mbi supet tona atë sistem, edhe pse i kemi të mbjella nën lëkurë pasojat e tij, kur lexojmë “Dritë në Humbëtirë” bindemi se prapë diçka na ka shpëtuar për ta kuptuar atë kohë. Vaso Papaj me ciklet e romaneve “Dritë në Humbëtirë” për mendimin tim ka ditur të hap përpara lexuesit kapakun e rëndë të një sarkofagu mbitokësor, i cili, edhe pse nuk mbante brenda kufoma njerëzish, në fakt mban brenda tij kufoma shpresash të vrava, ajrin e rëndë që lëshojnë ato dhe mbi të gjitha një mjerim shpresash”, tha Bajrami.

Gladiola Jorbus, poete dhe mësuese letërsie, përshëndeti autorin dhe analizoi domethënien e titullit të kësaj trilogjie dhe forcës së pashtershme që i është dashur personazhit të mbijetojë në “humbëtirën e thellë”.

Miq e dashamirës nga salla përshëndetën poetin dhe shkrimtarin Vaso Papaj i cili trilogjinë “Dritë në humbëtirë” e ka librin e tij në prozë pas romanit “Një dimër mes dimrash” dhe pesë vëllimeve me poezi.

Nxënësit e Kolegjit “Turgut Ozal” si dhe instrumentistët e vegjël të shkollës “Vinçenc Prendushi”, përshëndetën takimin.

Takimi u moderua nga bibliografia e Bibliotekës Publike Durrës, Teuta Dhima, e cila përshëndeti në emër të institucionit, drejtueses së tij Znj. Mirela Ylli dhe stafit.

Moderatorja e takimit zhvilloi edhe një intervistë të shkurtër me autorin Vaso Papaj përsa i përket linjës së rrëfimit në roman, personazheve dhe mesazhit të cilin ky autor ua përcjell brezave që do të vinë: Vetëm drita e dijes, dashuria për njerëzit dhe drita e shpirtit, do të na ndriçjë e do të na bëjë udhë edhe në humbëtirën më të thellë në të cilën jeta mund të na hedhë.

K.H.