Butka: Përgjegjësve të masakrës së Tivarit ju akorduan tituj

06/05/2012 - 00:00

Enver Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I të asgjësonin pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë. Ramiz Alia ka përgjegjësinë se heshti për 68 vjet për këtë masakër, ku u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, një pjesë e tyre brenda territorit të Shqipërisë

Libri i historianit Uran Butka “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” nxiti jo pak reagime në mediat shqiptare. Në librin e tij më të fundit Butka, përmes dokumentave që bëhen publike për herë të parë për lexuesin shqiptar, tregon përgjegjësit dhe ekzekutorët kryesorë të një prej ngjarjeve më të rënda të regjistruara në Ballkan në vitin 1945, masakrën e Tivarit. Në një intervistë për gazetën “Dyrrah” Butka akuzon Ramiz Alinë se heshti për 68 vjet me rradhë për këtë masakër ku humbën jetën më shumë se 3000 shqiptarë të Kosovës. Shumë nga drejtuesit e asaj kohe u nderuan me poste drejtuese e tituj; këto të fundit vazhdojnë t’i mbajnë edhe sot ligjërisht. 

Zoti Butka, pse vendosët  të shkruani librin “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar”?

Për këtë masakër, nga më të mëdhatë në Ballkan, është heshtur qëllimisht afro 70 vjet, për të fshehur gjurmët e krimit.

Pse pikërisht tani? A mos jeni ndikuar nga politika?

Aspak. Në këtë studim, por edhe në punimet e tjera me karakter historik, jam mbështetur tërësisht mbi dokumentet, duke bërë një interpretim shkencor, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika. Përndryshe do të ishte një dështim. Edhe personalisht, sikurse dihet,  jam larguar me kohë nga politika.

Sa kohë u është dashur të mblidhni dokumentet, ta hulumtoni ngjarjen dhe të shkuani këtë libër studimor?

Qysh në vitin 1995 shkrova sprovën e parë për këtë masakër dhe e botova tek libri “Ringjallje”, por studimi nuk ishte i plotë dhe i dokumentuar sa duhet. M’u deshën 16 vjet kërkime, që të arrija tek ky botim i plotë, gjithsesi joshterues.

Libri juaj është bazuar mbi një mori dokumentesh, një pjesë e mirë të papublikuara më parë dhe të klasifikuara “tepër sekret”. Si ia dolët?

Botimi “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” është bazuar në dokumente të nxjerra nga arkivat e ish-Jugosllavisë (Arkivi historik i Beogradit), nga arkivi shtetëror i Maqedonisë, nga arkivi i Kosovës dhe nga arkivat e Shqipërisë, kryesisht nga Arkivi Qendror dhe ai i Ministrisë së Brendshme. Natyrisht, të gjithë dokumentet e hulumtuara mbanin shënimin “tepër sekret”, por që tashmë thuajse janë deklasifikuar. Përveç këtyre dokumenteve janë përdorur, pasi janë krahasuar dhe konfirmuar për vërtetësinë e tyre, edhe dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës, si dëshmitë tronditëse të Azem Hajdinit, Bajram Golës e të tjerë, që janë publikuar me kurajo qytetare e njerëzore qysh në regjimin politik të ish-Jugosllavisë. Gjithashtu, janë vjelë edhe dëshmitë e dhjetëra të mbijetuarve shqiptarë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri.

Ju bëni përgjegjës për këtë masakër shtetin komunist jugosllav, por edhe shtetin komunist shqiptar, që, sipas jush, ka bashkëpunuar dhe është bashkëfajtor për masakrimin e mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Ku konsiston ky bashkëpunim?

Përgjegjësia kryesore është e shtetit jugosllav, i cili ishte projektuesi dhe zbatuesi i kësaj ploje të përgjakshme, me përmasa ballkanike. Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944 që thoshte: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim”. Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaro-madh”, si luftë kundër reaksionit të djathtë antikomunist në Kosovë e viset e tjera shqiptare etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.

Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e  propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.

Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”.

Pala shqiptare u tregua e gatshme. Më 12 shtator 1944 komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH për Korpusin I: “Lajmëro Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën.im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të  mos dekonspirohet!” Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë. Enver Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I : “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.”

Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e këtyre divizioneve e brigatave të ushtrisë shqiptare, që ishin nën urdhërat e Komandës së  Përgjithshme Jugosllave. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi  i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar. Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, me komisar politik Ramiz Alinë dhe komandant Gjin Markun, dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e divizioneve V dhe VI te ushtria jugosllave dhe dërgoheshin në Tivar e gjetkë për t’u asgjësuar.

A mund të na thoni diçka për keqtrajtimin nëpër Shqipëri të kolonave me shqiptarët e Kosovës?   

Të dhënat burimore ushtarake jugosllave tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.050 rekrutë shqiptarë. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja  partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur Golgota e madhe Shqiptare”- konstatonte  Zekeria Cana.

Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë: “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë . Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur  në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”. Këtë masakër  brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koci Xoxes: Këto fakte tronditëse zbardhen edhe në kujtimet e Azem Hajdinit, njërit prej të mbijetuarve të kësaj masakre. “Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, - parashtron Azem Hajdini - duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë....... Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish”.

Pushteti komunist në Shqipëri lejoi që të vriteshin bashkëkombasit tanë nga të huajt në shtëpinë tonë, në truallin tonë, brenda kufijve tanë!

A mund të na thoni diçka për masakrën që ndodhi në Tivar?

Po. Masakra më e madhe ndodhi mesditën e datës 31 marsit 1945  në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur  kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e të gjithë rekrutëve shqiptarë. Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi. Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë nga kolona e dytë.

Sa ishte numri i përgjithshëm i viktimave të kësaj masakre?

Totali i shqiptarëve të asgjësuar nga të gjashtë kolonat me rekrutë shqiptarë prej 13.050 vetësh, gjatë muajit mars dhe prill 1945, kryesisht sipas burimeve ushtarake jugosllave, rezulton së paku në 2543 vetë. Po të hulumtosh parashtresat, botimet dhe dëshmitë për këtë masakër të Azem Hajdinit, Bajram Golës, Nazif Selimit, Xhaferr Vokshit, si edhe të dëshmitarëve që mbetën gjallë dhe i publikuan dëshmitë e tyre, rezulton që numri i viktimave gjatë marshimit dhe në plojën e Tivarit, të jetë edhe më i madh.

Përfundimisht, sipas burimeve  jugosllave dhe shqiptare  rezulton shuma prej  gjithsej  2.947 – 3.447  shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur në tragjedinë e Tivarit. Por këto shifra nuk janë përfundimtare.

Ramiz Alia në fakt i ka mohuar akuzat për përgjegjësitë e tij për këtë masakër. A ka përgjegjësi ai sipas jush?   

Në radhë të parë Ramiz Alia nuk thoshte të vërtetën kur deklaronte se në kohën që u bë masakra e Tivarit ishte në Bosnjë. Sipas dokumenteve të cituara edhe më sipër, Ramiz Alia, komisar dhe Rahman Parllaku, komandant i Divizionit V të ushtrisë NÇSH, ishin në Mitrovicë më 3 mars 1945 dhe mandej në gjithë Kosovën, nën urdhërat e Shtabit të Përgjithshëm Jugosllav. Ramiz Alia dhe drejtuesit e tjerë të divizioneve të Shqipërisë në Kosovë kanë përgjegjësinë se dorëzuan te Ushtria jugosllave dhe tek OZNA (Shërbimi sekret jugosllav) gjithë shqiptarët që dezertonin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim te ushtria shqiptare. Edhe pse Ramiz Alia mori vesh për masakrën ndaj kolonave të marsit 1945, ai sërish bënte thirrje që shqiptarët e Kosovës të bashkoheshin me divizionet e ushtrisë shqiptare. Ramiz Alia ka përgjegjësinë se heshti për 68 vjet për këtë masakër, ku u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, një pjesë e tyre brenda territorit të Shqipërisë, në marrëveshje dhe bashkëpunim të plotë shqiptaro-jugosllav. 

A mendoni se po të ishte zbardhur më parë kjo masakër, ndoshta edhe përgjegjësit do të ishin ndëshkuar?

Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është nxjerrë ndonjë përgjegjësi, apo ndëshkim, si në ish-Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri. Përkundrazi, shkaktarët janë shpërblyer me ndere dhe poste të rëndësishme. Bie fjala, ekzekutori Vladimir Roloviç,  u  emërua ambasador i Jugosllavisë në Kroaci, ndërsa komandanti i Brigadës X malazeze Markoviç, që i masakroi shqiptarët në Tivar, u emërua kryetar i një rajoni në Mal të Zi. Në Shqipëri, Enver Hoxha,veç të tjerash, edhe Hero i popullit shqiptar dhe hero i popujve të Jugosllavisë, ish-ministri i Brendshëm, Haxhi Lleshi që bashkëpunoi me jugosllavët për vrasjen e shqiptarëve në territorin e Shqipërisë, u bë president dhe Hero i Popullit, po ashtu edhe Shefqet Peçi, Hero i Popullit, Ramiz Alia, president dhe Hero i Popullit etj dekorata që i mbajnë ligjërisht edhe sot!

A është ky libër njëherësh edhe një mesazh për shqiptarët dhe popujt e Ballkanit?

Po. E vërteta dhe vetëm e vërteta  mund t’i shërojë plagët që ende rrjedhin. Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish, siç ka ndodhur në historinë e Ballkanit.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Banda frymore e qytetit të Durrësit ka dhënë mbrëmjen e së premtes një koncert për artdashësit para Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”

Autori Vaso Papaj ka prezantuar pasditen e djeshme vëllimin e tretë të titulluar “Gongël”, pjesë e triologjisë

Revista për letërsi dhe kulturë e Universitetit të Oklahomas ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës së shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka f

Violinistët Florian dhe Daniel Vlashi, babë e bir, kanë qenë përkrah njeri-tjetrit në të njejtin pult gjatë koncertit të fundit të Orkest

Ditën e sotme është ndarë çmimi më i madh i fushës së letërsisë, ai "Nobel", ku fitues janë shpallur një austriak dhe një polake.

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit gjatë këtij muaji janë programuar disa shfaqje teatrale nga trupa dramatike e qytetit.

Këngëtari i njohur Zija Saraçi, një zë mjaft i dashur për shumë breza durrsakësh ka marrë një vendim drastik.

Amfiteatri antik i Durrësit mikpriti fundjavën e kaluar një ansambël artistik nga Suedia.

Të martën dhe të mërkurën, në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës vjen për publikun tragjedia “Salome”.

Dashamirës të letërsisë të pasionuar pas lojërave të fatit kudo në botë, gëzohuni!!