Nga Gladiola Jorbus

Pa ndrojë mund të themi se çdo autor, në vetvete është sui generis. Profesorit Vaso Papaj, ndashtimi i paveçuar profesor, besoj se i shkon për shtat. Vazhdimisht, ai shfaqet si intelektuali që rravgon dhe përsiatet në mugëtirë e mugëllimë, në dritë e terrinë, në tejskajshmërinë e odisesë së një kërkimi shpirtëror që shkon drejt katharsisit. Por a do të arrijë ndonjëherë, ndërgjegjja e shoqërisë sonë shkallën sipërore të purifikimit?!

Çdo vend që ka vuajtur nën një regjim diktatorial, karakterizohet nga një e kaluar e errët, që i ka lënë plagë të vështira për t'u shëruar. Përkujtimi i personazheve që provuan në lëkurën e tyre ç’do të thotë privim nga të drejtat dhe liritë themeltare të jetës, veçse të fisnikëron e të shndërron në një person që kontribuon për ndërtimin e kujtesës historike; pasi njohja dhe trumbetimi i të vërtetës është një e drejtë e domosdoshme.

E si të mos konsiderohet shkrimtari, një krijesë misionare e flijëplote që kërkon të mbështetet mbi të drejtat njerëzore e thëniet hyjnore; në emër të jetëve të pajetuara, të dashurive të paplotësuara, të prezencave të munguara, të ëndrrave rinore të thërrmuara?!

Profesor Vaso, një përfaqësues dhe praktikant i shkencave ekzakte deri në krijimin e metaforave, me përmbajtje fotonike. Dihet rëndom që shpejtësia e dritës është 300.000 km/s në vakum, pra në hapësirën boshe. Këtë shpejtësi nuk e sfidon dhe as nuk e superon asgjë; duke u cilësuar kështu më e madhja në Univers. Ndërsa në mjediset optike më të dendura, kjo shpejtësi nis e zvogëlohet.

Ashtu ndodh dhe me humbëtirën e autorit Papaj. Dritën mund ta ndiejnë vetëm kush e ka bukurinë në shpirt, qofshin këta dhe në abis, në humnerë a në ferr. Kurse të tjerë, mjeranë e bilmezë, edhe pse rrethohen nga drita, nuk mund ta prekin atë, as të përndriten, sepse zymtësia dhe shëmtia shpirtërore u ka veshur shpirtin.

Autori i rritur brigjeve të Adriatikut, pasi ka pirë njelmësinë e ujit të detit e të lotëve, imponon dhe pretendon vëmendje e respekt. Zëri i shkrimtarit që lutet për një botë më të mirë është vox Dei –zëri i Zotit.

Gjithashtu, Vaso Papaj provokon dhe një trajtim antikonformist të veprës së tij. Shpresa, e vetmja që mund të zbusë ekzistencën e padurueshme dhe të bëjë të mundur mbijetesën e pamundur në një kalvar Golgote, regëtin në grahmat e saj të fundit.

Edhe këtu, gjuha shqipe duket sikur na ka punuar një trill sa cinik, aq dhe fonetik, përmes formave të ndryshme gramatikore. Shpeshherë, ne formojmë çifte antonimike duke iu referuar bashkëtingëlloreve të zëshme e të shurdhëta (sh, zh, ç) dhe përfitojmë fjalë si: dëmtoj – zhdëmtoj, liroj – çliroj, palos – shpalos.

 Kur shqiptojmë emrin shpresë, ë –ja fundore shurdhohet, dhe duket sikur folja pres, përcjell fjalën shpres(ë); pres- shpres. Një gaz- maraz apo paradoks ?! Gjithsesi, edhe nën përmasat më të humnershme të horizonteve që s’premtonin ardhmëri, shpresa shpërthen brishtësisht dhe tenton të çlirohet nga vargonjtë e realitetit mbytës, në veprën e autorit të sipërpërmendur.

Konceptet e formuluara nga mendimet origjinale, empirizmi, kujtimet dhe empatia kohë – autor; ripërmasojnë tranzicionin e ekzistencës dhe vështirësinë maksimale në një shtet, ku ligji sipas Thomas Akuinit do të përkufizohej: “Lex malla, lex nulla” – “Një ligj i keq nuk është ligj”.

Prof. Vaso, përmes triologjisë së tij “Dritë në humbëtirë” aktualizon fort, kumtin e pavdekshëm shekspirian, të verbalizuar nga Hamleti unikal:

“Në kohën ku jetojmë, u dashka që vetë virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit”.