Drama “Vdes siç vdes një vend” vepër e autorit grek Dimitris Dimitriadis dhe regji nga Rozi Kostani çeli sezonin artistik të Teatrit Kombëtar. Pas së enjtes, shfaqja do të vijojë edhe tre net të tjera për publikun. Regjisore dhe protagoniste në vepër Rozi Kostani sjell në skenë dhe aktorët e njohur Alfred dhe Violeta Trebicka. Pjesë e veprës është dhe kori, që vjen i interpretuar nga aktorë të rinj. Nuk ka muzikë, por është polifonia ajo që shoqëron shfaqjen.

Vepra pas mbrëmjes së të enjtes do të vijojë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në datat 22, 23 dhe 24 shtator ora 19:00. Dimitradis kritikon mentalitetin e grekëve të sotëm dhe atë ballkanas, që janë të dhënë pas zakoneve të vjetra psikologjike dhe ushqehen nga një traditë, të cilën nuk përpiqen ta ndryshojmë, por regjisorja Rozi Kostani pohon se e gjen aktualitetin e veprës edhe në vendin tonë.

“Një vepër që duket sikur është shkruar për Shqipërinë në fakt, aq shumë e gjen realitetin sot. Autori e ka shkruar për Greqinë këtë vepër, por ka dalë dhe përtej saj. Është universale si vepër. Aty e ka gjetur veten Franca, Spanja dhe në vende të tjera të Europës. Është një vepër dramatike mirëfilli. Kjo vepër i flet aq bukur realitetit tonë, i flet aq mirë, thotë disa të vërteta të hidhura”, vijon më tej regjisorja, që mbrëmë ishte në skenë dhe si protagoniste.

Veç tre aktorëve Kostani dhe çiftit Alfred dhe Violeta Trebicka në skenë si pjesë e korit janë dhe Ina Morinaj, Benada Mulla, Silvio Goskova, Lejda Çeli, Artan Skënderasi, Kesina Lami, Arlid Stafa, Armando Mehmeti, Jona Hoxha. Skena e kostumet Desantila Lika, as/regjie Iris Canaj e Kleard Germenji dhe fotografia Edvina Meta.

Një shkrim filozofik, por që veprimin e gjen nëpërmjet formës që autori e ka përshtatur dhe e ka nxjerrë nëpërmjet një monologu, që bën një femër. “Një femër i shkruan burrit të saj një letër dhe merr vendimin për ti thënë të gjitha të vërtetat mbi vendin. Pra raportin e individit me vendin, raportin e qeverive se çfarë i shkaktojnë një vendi, etj. Vendin unë e kam personifikuar me rolin e Violetës në skenë, që është e veshur me një fustan të molepsur me rrobat e gjithë viktimave, që kanë lënë gjurmë tek ky vend dhe të hipur në një karrocë supermarketi, që ne shesim sa herë na duhet. Pra kjo është ndjesia, që kemi ne për vendin” shton më tej regjisorja.

“Vdes siç vdes një vend”

“Vdes siç vdes një Vend” është psikanaliza letrare e autorit grek Dimitris Dimitriadis, i cili  me vërtetësinë rrënqethëse të rrëfimit tronditës të një gruaje real-imagjinare tregon që vendi po dekompozohet ngadalë, se ajo shikon me tmerr sesi trupi i saj merr përmasat e vendit e saj të kalbëzuar. “Vdes siç vdes një vend” është vepra që e kurorëzoi Dimitris Dimitriadis si një nga autorët më të spikatur të letërsisë dhe teatrit bashkëkohor europian. Krahas veprës së tij teatrale, Dimitriadis shquhet si poet, prozator, eseist dhe përkthyes. Suksesi më i madh i Dimitriadis erdhi me ngjitjen e veprës së tij të përkthyer në shumë gjuhë “Vdes siç vdes një vend” në skenën e famshme të Teatrit “Odeon” të Parisit në vitin 2010, si dhe nderimin e tij si “Autori Bashkëkohor i Vitit” në Paris. Njohja e tij në Francë solli një ndryshim rrënjësor në riperceptimin e “Dimitriadit teatror” në Greqi. Performanca të kësaj vepre janë dhënë në shumë skena evropiane, në Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Spanjë, Poloni, etj.