Nga Merita KUÇI

” …  E ndërsa Konica ndër toka të largëta, Teuta në  thellësi tokësore dhe shpirtërore, mësojmë se dashuritë e zbukurojnë jetën…” 

Ndërsa mora ne duar vëllimin e parë te mikes sonë Teuta Dhima, gjeta një përmbushje dëshire të kahershme, të pashprehur, të nënkuptuar të autores në takimet tona, por edhe timen personale për ta bërë një vëllim poetik  të përmbushur edhe me proza të shkurtra poetike, ndaj po ndalem në këto të fundit te cilat në ndjesinë time janë si flirte të poetes me fjalën dhe ndjenjën.

Autorja na kujton përmes një përjetimi të befasishëm një pyetje shume spirituale “A na tradhëton shpirti?”

Ajo nuk le shteg për zgjedhje sepse tashmë fati i shpirtrave  është i përcaktuar, por shëtitjet e një shpirti imagjinar na trembin, për të na kujtuar se sa të çmuara janë veprat tona në jetë dhe se jeta është mund dhe jo rastësi.

E tunduar stinësh dhe prej poetit të madh Fatos Arapi “I gënjen janari mimozat”, autorja  tregon jo vetëm ndjeshmërinë e saj, por edhe kujdesin  femëror se brishtësia është virtyt i stinës së pranverës, se gënjeshtra i ka hije së bukurës sepse e gënjyer për të falur gjithkund bukuri,  ajo e fal  vërtetë aromë jete, dashuri që presin të jetohen.

E unë vetë prej vitesh nuk marr e as nuk shkruaj nje kartolinë, por as edhe një leter edhe pse letra e pena nuk mungojne kurrë në çantën time, madje ato që më qendrojnë pranë e dinë  se ka “zysha” laps e letër, por emocioni, kjo copëz “Kartoline” më ndolli edhe postjerin të cilin dikur edhe e qerasnim , ndërsa sot ato copëza pusullash si gjoba e taksa, i gjejmë hedhur oborreve apo avllive. Dhe këtë ndjesi kujtese e bëre ti Teutë me kartolinën tëndë, pa ia prishur misterin a bukurinë asaj që kur kthejme kokën pas e quajmë kohë, e quajme mall.

Pasuar nga yllësia e gjithhershme, për njerëzit që nuk jetojnë mes nesh dhe që ftohtësia e mermerit nuk e zhbën dot atë  lloj dashurie speciale që vetëm vëllazërimi fal . Apo krahëpulitja e pëllumbave që ngjiten dhe kthehen sërish tek vendi, tek streha ku zemra ngre folenë e kujtesës për të shkuar edhe sot  nxitimthi si dikur tek vendi që  sikur thërret tek “ditëlindja” e Babait.         

Mbase gjendje të tilla na afrojnë më shumë pranë zotit dhe po aq pranë edhe natyrës për të shkuar tek Intimja, tek pjesa më perfekte që zoti identifikoi një shpirt human “Sytë” dhe të presësh perëndimin  nën puhizën e erës së detit, rrëzimin e rrezes së fundit të dritës,  është vërtetë mrekulli e jetuar jo vetëm si një “ninëz “ siç shprehet poetja, por edhe si një shprehje e pasionit të thellë, jetuar gjatë dhe që kërkon të shkojë gati në perfeksion.

Autorja jo vetëm e  dëshmon por e njeh dhe përjeton cep me cep qytetin e saj. Afishet e heshtura ne cep të galerisë siç  shprehet ajo, sikur e ndjekin pas, duke na dëshmuar vlerën e jetës, pranimin e fatit të secilit prej nesh. Kjo lloj ndjeshmerie e shprehur, e fisnikëron  autoren si njeri dhe lexuesin si prognozë  e realitetit.

Idili i jetës së përtejme dhe i asaj reale ndjehet kështu në prozat e gjalla poetike. E ndërsa  jemi mësuar si mësues të ngulmojmë në memorien tonë per “Bora” e F. Konicës po kaq fort filli i jetës, i lumturisë  që ndërron drejtim, na ndjell tek “Pusi që u  tha prej malli”, ndërsa njëri ndër toka të largëta tjetra në thellësi tokësore dhe shpirtërore, pa harruar asnjë çast se dashuritë e zbukurojnë jetën edhe kur nuk na përkasin, edhe kur i humbasim. Por një gjë është e sigurt se kënga e dashurisë, malli për të nuk njohin as moshë e as kohë. Vetë koha është dimensioni i një dashurie që kushedi si dhe ku të frymon.

Shumë suksese, shëndet, jetë, krijimtari mikes sonë të ëmbël, të qeshur, të uruar e bekuar me kaq vlera dhe humanizëm.