Nga G. Kabashi

Kuarteti i harqeve nga Gjermania “Minguet” ka çelur mbrëmjen e kaluar në Durrës edicionin e 14-të të Festivalit ndërkombëtar të muzikës së dhomës.

Nevila Kalaja, drejtore artistike e Festivalit, duke përshëndetur të pranishmit që kishin mbushur sallën e Muzeut Arkeologjik prezantoi edhe programin e 6 koncerteve të tjerë, me instrumentistë nga vendi ynë, Maqedonia e Veriut, Spanja, Italia dhe Austria.

Kuarteti “Minguet” me një përvojë koncertore 30-vjeçare solli për dëgjuesit vepra të autorëve të muzikës klasike, si dhe asaj moderne të shekullit të kaluar.

Të pranishmit vlerësuan lojën e instrumentistëve Isfort, Reisinger, Sorin dhe Diener, të cilët kanë interpretuar së bashku në sallat më të rëndësishme të muzikës së dhomës nëpër botë.

Pjesët e zgjedhura nga Robert Shumann (1810-1856), Clara Shumann (1819-1896) dhe Johaness Brahms (1833-1897) tingëlluan si dëshmi e “gëzimit dhe ekspresionit me të cilin ansambli i bën veprat si gjallesa që flasin edhe në detajin më të vogël”.

Me të njejtën gjallëri erdhi te dëgjuesit edhe kuarteti i harqeve nr. 1 i Sofia Gubaidulinës, që u duartrokit së bashku me veprat që u interpretuan në koncertin që zgjati afro dy orë.

Festivali i 14-të i Muzikës së Dhomës do te vijojë të shtunën në mbrëmje me koncertin e Trios “Ad Libitum” nga Shqipëria.