Ka qenë befasuese për shumë pjesmarrës në ceremoni, çelja e ekpozitës personale e piktorit Jordan Findiku, ekspozitë e cila duhet thënë se është ndjekur me shumë interes nga artistë dhe intelektualë të njohur të qytetit të Durrësit.

Në të janë ekspozuar punime cilësore që përfshijnë rreth 39 tablo të formateve të mëdha, të punuar në kolonitë e piktorëve në vendet piktoreske të Shqipërise si dhe zonave të tjera shqiptare ballkanike deri në Kalabri.

Piktori Findiku është vlerësuar nga pjesëmarrësit për punën serioze që ka bërë në pasqyrimin e natyrës shumëplanëshe, deri te pasqyrimi artistik që u bën brigjeve të veçanta e spikatëse të bregdetit durrsak.

Në fjalën e hapjes piktori Qemal Vrioni ka vlerësuar rikthimin e suksesshëm të artistit para dashamirësve të artit të tij, pas disa viteve heshtje.

Shkrimtarë dhe piktorë kanë vlerësuar artin e pikturës në Durrësin e kulturës tradicionale, art me vlera që mund të konkurojë lirshëm edhe në ballafaqimet artistike të Perëndimit. Pikturat e Findikut, sipas piktores Shpresa, sjellin vlera të reja artistike.

Vetë piktori Jordan Findiku ka vlerësuar mbështetjen e dhënë nëpërmjet organizimit të kolonisë së piktoreve dhe ka folur mbi shtegtimin e tij artistik nëpërmjet artit të magjishëm të pikturës. Ekspozita personale e Jordan Findikut do të qëndrojë e hapur rreth 15 ditë.

K.H.