Piktorja Shpresa Milaqi Bajko ka çelur ekspozitën e saj të pestë personale në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” në Durrës.

E frymëzuar nga periudha e vështirë në të cilën po jetojmë për shkak të pandemisë, autorja e ka quajtur këtë ekspozitë “Melodia e jetës”.

Pjesa më e madhe e pikturave janë krijuar në vitin 2020 thotë artistja, ndërsa vitit të kaluar i përkasin një numër i vogël.

Janë plot 79 punime të realizuara nga piktorja e njohur, kryesisht peisazhe e natyrë e qetë për të ardhur thjeshtë tek artëdashësit, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në galeri prej datës 1 gusht.

“U mundova të sjell përveç përiudhës së verës, më shumë dritë, ngjyrë, jetë. Janë punime të përshtatura në teknikën e vajit, teknikën e akuarelit dhe në vizatim. Janë 27 punime në vaj, 27 në akuarel dhe 25 vizatim.”

Për autoren, teknika e akuarelit është e preferuara e saj. “E ndjej dhe e dashuroj”, thotë ajo ndërsa tregon se ka marrë pjesë në bienale të shumta të kësaj teknike jashtë dhe brenda vendit.

“Kam marrë pjesë në Indonezi, Bangladesh, Itali shumë herë, në Republikën Çeke dhe së fundmi ishte bienalja e akuarelit në Tiranë me 70 autorët më të mirë në botë.”

Pandemia ndikoi në planet e artistes për të marrë pjesë në ekspozita jashtë kufinjve ku do të përfaqësohej me punimet e saj, punime të frymëzuara nga aktualiteti.

Në projektet e piktores është edhe çelja e një ekspozite personale në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë në muajin tetor, por siç shprehet ajo, nuk është ende e sigurt nëse do të mund ta realizojë.

“Janë gjëra që nuk parashikohen dot”, thotë Milaqi Bajko.

G.D.