Pasditen e së premtes, biblioteka e Durrësit organizoi një pasdite letrare për të promovuar librin e parë me poezi dhe thënie të autorit Flamur Bala.

I riu nga Durrësi, pasi punoi 5 vite me radhë për librin e tij të parë, ndihej krenar mes miqve dhe dashamirësve të leximit, pasi fjalët e të pranishmëve ishin mjaft inkurajuese.

Bibliografia Teuta Dhima tha gjatë fjalës së saj se “poezia e Flamurit është e thjeshtë ashtu si vetë Flamuri”.

Frymëzimi për të shkruar, Flamur Bala tregon se i erdhi rastësisht pasi ra në dashuri me një vajzë

“Ky libër erdhi si frymëzim force dhe shpresë jete, duke gjetur forcën brenda vetes, thashë pse jo dëshirën për të shkruar e për të shprehur, ta bëj përmes librit. Duke qenë se jeta ime përbëhet e tillë me pengesa dhe me probleme, me momente të gëzueshme e jo të tilla, mendova ta sjell përmes librit duke e titulluar “Sfidë në univers””, tha ndër të tjera Flamuri.

Ndërkohë, shkrimtari Shpend Topollaj, gjatë fjalës së tij, vlerësoi poezinë e të riut nga Durrësi dhe vullnetin e tij për të ecur përpara dhe për të parë plot shpresë të ardhmen, pavarësisht aftësive të kufizuara.