Durrës, shpallen fituesit e Festivalit të Ansambleve. Këngëtarët e vegjël ruajnë traditën popullore (VIDEO)

03/06/2021 - 18:05

Emmi Rushiti është njëra nga fitueset e çmimit të parë të edicionit të VI-të të Festivalit të Ansambleve Popullore të shkollave 9-vjeçare publike e jo publike në Durrës.

Megjithëse mjaft e re në moshë, Emmi ka bindur jurinë se është një interpretuese mjaft e mirë e këngës popullore.

“E kam nisur që në klasë të VII këngën popullore, por kam eksperimentuar edhe në rryma të ndryshme”,- rrëfen ajo, ndërsa më pas shton “Më ka pëlqyer gjithnjë muzika popullore, por këtë vit kam vendosur të këndoj muzikë popullore lirike”.

Violeta Beshiri, që mori Çmimin Special nga juria, e pranon se për të dhe bashkëmoshatarët e saj nuk është e lehtë të interpretojnë këngë popullore, sepse janë më të dhënë ndaj muzikës moderne. Por me punë dhe përkushtim, çdo gjë arrihet.

“Duke qenë se nuk janë këngë që brezi jonë i dëgjon shumë është pak e vështirë, por duke i përsëritur, duke kaluar kohë, atëherë mësohesh”,- tregon këngëtarja e vogël.

Në edicionin e VI-ë të asambleve popullore morën pjesë më shumë se 300 nxënës të 17-të shkollave 9-vjecare të bashkisë Durrës. Kryetarja e jurisë, Rakipe Karaj, shprehet e surprizuar nga performancat artistike të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Durrësit. Ajo pranon se mes adoleshentëve ka shumë talente dhe fakti që të rinjtë i përkushtohen muzikës popullore është një ogur i mirë për vazhdimin e traditës dhe trashëgiminë e saj nga brezi në brez.

“Vështirësitë kanë qenë të shumta përsa i përket përgatitjes së fëmijëve, që kalojnë nëpër duart e profesionistëve. Gjithsesi mund të them që ishte një arritje, sepse duke menduar që kënga popullore është e vështirë të këndohet nga fëmijët ata ia arritën më së miri dhe ishin shumë të përgatitur. Ka shumë talente, që mendoj se do të ecin përpara”,- thotë Karaj.

Drejtori i QKF, Avni Çuni, theksoi gjatë fjalës përshëndetëse në këtë aktivitet, se pavarësisht vështirësive që krijoi pandemia, nxënësit dhe mësuesit e tyre u përkushtuan maksimalisht për të dhënë me të mirën.

“Edicioni i VI u bë në kushtet e pandemisë, u zhvillua online, një formë jo e lehtë për ata që morën pjesë, por jo e lehtë edhe për ne që e organizuam. E vështirë edhe për jurinë për të bërë vlerësimet, por në fund ne ia dolëm”,- tha Çuni.

M.B.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ajo kërkon të mirëkuptohet nga bashkëshorti, të gjejë tek njeriu që ka zgjedhur të ketë përkrah një shok dhe një mbështetës.

Aventurat dashurore të beqarit francez, Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe, në komedinë e sukseshme dhe mjaft të dashur për artdashës

Në mjediset e Bibliotekës së Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës u promovua libri  “Zhvillime urbane: tradita dhe risi Rasti i Kamzë

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Pirro Mani.

Për të 19-n vit është mbajtur eventi "Miss dhe Mister Durrësi 2021", ku janë përzgjedhur mbretëresha dhe mbreti i bukurisë durrsake.

Ditën e sotme, në sheshin "Italia", para Stadiumit Kombëtar u inaugurua skulptura e artistit të njohur ndërkombëtar Helidon Xhixha.

Zyra Vendore Arsimore Durrës ka organizuar këtë të hënë ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të XII, të Festivalit Rinor "Epidamn