Poetja dhe autorja nga Durrësi Gladiola Busulla Jorbus, gjatë gushtit të këtij viti është përzgjedhur nga programi i AIR Litteratur Västra Götaland të jetë pjesëmarrëse në  një program letërsie, në Stromstad të Suedisë.

Vlen për t’u theksuar se Gladiola është shqiptarja e parë e cila ka qenë prezente në këtë rezidencë që i kushtohet tërësisht letërsisë në Bregun Perëndimor, e themeluar në vjeshtën e vitit 2015.

Kjo rezidencë artistësh ka strehuar shkrimtarë, poetë, kritikë arti dhe përkthyes suedezë e të huaj. Qëllimi i programit është të ofrojë një bursë pune, të mbështesë krijimtarinë letrare, dialogun dhe shkëmbimin.

Gladiola Jorbus ka një bashkëpunim të gjerë me krijues e përkthyes të shumtë në Suedi, ku ndër më të spikaturit është ai me Ullmar Qvick, albanologun e mirënjohur suedez, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe si dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas.

Ullmar Qvick ka përcjellë në gjuhën suedeze poetë si Zef Serembe, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Migjeni, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare etj. Në fondin e tij të përkthimeve, tashmë renditet dhe emri i Gladiola Busulla Jorbus.

Gjithashtu, një pjesë e poezisë dhe e prozës së durrsakes Busulla (Jorbus) është e përfshirë në website-n e Rezidencës Letrare të Bregut Perëndimor në Suedi.

Gladiola Jorbus është çmuar me një certifikatë vlerësimi nga Bashkia e Stromstadit dhe Biblioteka e këtij qyteti.