Romani më i fundit i gazetarit dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha është promovuar pasditen e së enjtes para një grupi të rinjsh durrsakë.

Para të rinjve, Hoxha shpjegoi se ideja për romanin “Duartrokitësin” i kishte lindur që gjatë viteve të diktaturës dhe pavarësisht se jetojmë në një kohë tjetër “edhe sot ka duartrokitës, diktaturë të sofistikuar”.

Hoxha kujtoi episode nga rinia e tij, kur ishte nxënës shkolle dhe së bashku me moshatarët dërgohej nga autoritetet e kohës të ndiqnin gjyqet ndaj “armiqve të popullit”. Pikërisht në atë kohë, Hoxha kishte shkruar edhe një episod të romanit që erdhi i plotë pas 30 viteve demokraci.

“Pavarësisht se “armiqtë” dënoheshin me vdekje apo burg, salla duartrokiste shumë e lumtur që ata po dënoheshin. Më ka shqetësuar gjithnjë ky duartrokitësi që mban në këmbë diktaturën, që i jep entuziazëm diktaturës. Për fat të keq edhe tani, në këtë demokracinë tonë të brishtë ne kemi përsëri duartrokitës që mbajnë në këmbë diktaturën. Tani janë më të sofistikuar sesa më përpara, janë në rrjete sociale”,- tha Hoxha.

Shkrimtari i njohur durrsak u shpreh i entuziazmuar nga fakti që po e prezantonte romanin e tij më të fundit pikërisht para të rinjve, që diktaturën e proletariatit e njohin vetëm përmes rrëfimeve, tregimeve dhe dëshmive nga e kaluara, por nuk e kanë përjetuar në vetë të parë.