Megjithë masat kufizuese në fuqi dhe ndërprerjen e procesit mësimor prej të paktën 7 javësh, Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës nuk i ka ndërprerë aktivitetet e saj artistike. Ndryshe nga vitet e tjera, përgjatë këtyre javëve izolim, gjithçka po zhvillohet përmes rrjeteve sociale.

Nisma më e fundit e ndërmarrë nga QKF Durrës është zhvillimi i edicionit të VI të festivalit “Instrumentisti i vogël”.  

Në datat 20-25 prill, instrumentistët e vegjël nga të gjitha shkollat 9-vjeçare publike dhe jopublike të qytetit të Durrësit, përjashtuar ata të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” kishin mundësi të dërgonin videot me interpretimet e tyre në instrumenta të ndryshëm si piano, violinë, kitarë, fyell.

Sipas QKF Durrës, gjatë këtyre ditëve janë dërguar në numrin e telefonit të vënë në dispozicion nga kjo qendër 265 video nga instrumentistë të ndryshëm, nga të cilat janë përzgjedhur nga juria 102 instrumentistë, emrat e të cilëve i gjeni në tabelat e mëposhtme, të ndarë sipas kategorive përkatëse.

Ndërkohë, QKF ka nisur të publikojë në faqen në rrjete sociale videot e përzgjedhura për fazën e dytë.

Izolimi i zgjatur dhe mos frekuentimi i shkollës duhet se nuk ka zbehur përkushtimin e instrumentistëve të vegjël durrsakë ndaj muzikës dhe veglës muzikore të preferuar prej tyre.