Për të shtatin vit radhazi është zhvilluar në Durrës festivali i kitares klasike, “Guitar Festival”.

25 artistë nga mosha 6 deri në 30 vjeç performuan në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” pjesë nga periudhat klasike, romantike, baroke, kontemporane të kompozitorëve Antonio Vivaldi, Francisco Tárrega, Astor Piazzolla, Heitor Villa-Lobos, Devise etj..

Në këtë festival u shpërndanë katër çmime për artistët konkurues nga shkollat artistike të Durrësit, Kavajës, Tiranës e Lushnjes.

Fitues i çmimit të parë kategoria A, u shpall studenti Ygers Bahja, i cili vendosi t’ia dhurojë nxënëses së klasës së gjashtë të shkollës “Jan Kukuzeli”, Emili Çapi.

Çmimin special, të zgjedhur nga vetë artistët konkurues e ka fituar Xhoni Xhavari.

Çmimin e parë kategoria B e fitoi Klea Medolli, ndërsa Alehandro Gjylsheni rrëmbeu çmimin e parë junior.

Çmimi i parë i muzikës së dhomës trio u fitua nga Klaus Gjylsheni, Mikele Hudhra dhe Kristi Maneci.

Juria e festivalit të kitarës përbëhej nga organizatorët; Orgesa Mema drejtuesi i shkollës së muzikës në Durrës, Dashamir Mehmeti (ideator i festivalit) profesori i kitarës, Besmir Guma profesor i muzikës në shkollën “Qemal Mici” dhe violinisti Alfred Dhamo.

E veçanta dhe risia e këtij viti qëndronte në faktin se pjesëmarrës në “Guitar Festival” ishin edhe nxënës me aftësi ndryshe, të cilët performuan në skenë si artistë të vërtetë!

G.D.