Festivali i Napolit 2020 mbërrin për herë të parë në Shqipëri. Ai do të zhvillohet në qytetin tonë në organizimin e presidentes së shoqatës kulturore New Umor Sound, znj.Luljeta Strefi dhe bashkëshortit të saj, z.Giuseppe Palumbo i cili është në rolin e drejtorit artistik. Në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë shqiptarë të cilët do të këndojnë këngë të përzgjedhura napoletane.

“Eventi do të zhvillohet ditën e shtunë dt. 19 Shtator 2020 në orën 18.00 në sallën e Teatrit “A.Moisiu” pa praninë e spektatorëve, kusht i domosdoshëm ky për realizimin e këtij eventi. Masat për organizimin e këtij koncerti do të jenë tepër strikte dhe në sallë do jetë vetëm juria dhe në skenë do performojnë këngëtarët një e nga një. Ky aktivitet do të transmetohet drejtpërsëdrejti online në faqen zyrtare të Festivalit të Napolit si dhe në valët e RTSH. Fituesi i këtij festivali do të përfaqësojë shqipërinë në festivalin Napoletan në Napoli të Italisë. Edicioni i 6-të i Festivalit të Napolit ne Itali është planifikuar në dhjetor 2020 në tre mbrëmje, në një teatër prestigjioz në Napoli.

Për artdashësit dhe publikun i cili fatkeqësisht nuk do të jetë në sallë ka një surprizë, tingujt e këtij aktiviteti do të përcillen në sheshin Liria nëpërmjet anës zanore për t’u dëgjuar e shijuar nga të gjithë qytetaret”,– njofton teatri “Aleksandër Moisiu” në rrjete sociale.

Ndërkohë, paraditen e sotme, stafi organizator i Festival di Napoli në Shqipëri organizoi nje takim me kryetaren e Bashkise se Durresit Emiriana Sako, ku u diskutua per eventin kulturor.

“Falenderojme kryetaren per gadishmerinë dhe mbeshtetjen e saj ndaj këtij aktiviteti të rëndësishëm për Shqipërinë gjithashtu edhe për Durrësin qytetin ku do të zhvillohet ky aktivitet”,– shkruante në rrjete sociale grupi organizator.