Europe House në bashkëpunim me Bashkinë Durres- këndin e BE-së, organizon shfaqjen e filmit “DELEGACIONI” në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, me datë 13 shkurt, ora 17.00. Hyrja është e lirë.

Filmi “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të të ndjerit Artan Minarolli, ka arritur të fitojë çmimin e madh “Grand Prix” në Varshavë dhe vlerësimin si “Filmi më i mirë i gjatë” në Festivalin e Triestes.

Gjithashtu ishte filmi i përzgjedhur nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS. Në këtë film, aktori i madh Xhevdet Feri ka luajtur rolin e tij të fundit.

Filmi “Delegacioni” është shfaqur në shumicën e festivaleve ndërkombëtare dhe madje, edhe në festivalet e Kategorisë A. Aktorët që luajnë janë: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Kasem Hoxha, Richard Sammel, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Tristan Halilaj, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Lulzim Zeqja, Selman Lokaj, Armando Dauti etj.