Një tjetër bukurosh durrsak rrëmben kurorën e më të bukurit në Shqipëri. Në spektaklin “Miss dhe Mister Albania”, 17 vjeçari Geraldo Bida u shpall “Mister Albania” dhe do të jetë përfaqësuesi i vendit në aktivitetin ndërkombëtar të bukurisë “Mister Universi”. Adoleshenti nga Durrësi është nxënës i vitit të katërt në një nga shkollat private të qytetit. Në vitin 2011 ai u shpall “Mister Durrësi” dhe “Mister Turizmi”, ndërkohë që vetëm një vit më vonë arrin të bëjë të tijin një trofe në rang kombëtar.

Fitorja e Bibës tregon se Durrësi ka krijuar një traditë mjaft të mirë, në konkurset kombëtare të bukurisë, sidomos përsa i përket meshkujve. Ndërsa vitin e ardhshëm konkursi i bukurisë feston 10 vjetorin e tij në Durrës, organizatorja e këtij spektakli, Myzejen Konduri shprehet se në harkun kohor të një dekade bukuroshët e qytetit bregdetar kanë fituar plot 3 tituj “Mister Albania”. Traditën e hapi Daniel Grashi, për t’u pasuar nga Ervin Pepaj dhe i fundit Geraldo Biba.

“3 spektra kombëtarë bukurie për djemtë durrsakë është një arritje e madhe për ne dhe një shpërblim mjaft i mirë për punën e madhe që ne bëjmë për seleksionimin dhe përzgjedhjen e këtyre vajzave dhe djemve të rinj”,- thotë Konduri.

I gjatë 2m, brun dhe me një buzëqeshje mjaft të ngrohtë Bida ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe kompanive të reklamave për t’u bërë imazh i shumë firmave të njohura.  Megjithëse moshën mjaft të re ai duket i vendosur t’i përkushtohet botës së modës dhe televizionit. Një vit pas titullit “Mister Durrësi” erdhi titulli “Mister Albania”.

Tani nuk mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë bukuroshit durrsak fitore të tjera në konkurset ndërkombëtare. Ndërkohë një tjetër bukurosh durrsak që këtë vit mori spektrin e bukurisë nga Biba, Greit Çollaku (Mister Durrësit 2012) ndodhet këto ditë në Tajlandë për të marrë pjesë në konkursin e bukurisë “Manhunt International 2012”.