Në vitin 1584, shtypshkronja e qytetit të Durrësit shtyp një libër me poezi latinisht me titull “APOTHEOSIS || Nouiueteris Copiaecornu,|| NIHILI VTOPIENSIS,|| Strenae loco inter quosdam amicos mutuò mis-||sa per internuntium || MERCVRIVM LIBERALEM,|| Patricium Beneuentanum” nga botuesi Polidorus Kargius. Libri ka 14 faqe.

Info
Në truallin e Shqipërisë dëshmohet ngritja e shtypshkronjës në shek. XVI. Më 1563 është shtypur një libër në shtypshkronjën e vogël të K. Xanetit dhe Shtjefën Shkodranit në Shkodër. Në Frankfurt mbi Majn është paraqitur një libër i botuar në Durrës më 1584 nga Polidorus Kargius. Pranë Akademisë së Voskopojës u ngrit më 1714 shtypshkronja “Shën Lluka”, ku u shtypën mbi 50 libra deri më 1769 dhe u bënë përpjekje për të hartuar një alfabet shqip. Dhaskal Todri nuk arriti të ngrinte një shtypshkronjë me shkronjat e derdhura për shqipen. Përpjekje për të sjellë shtypshkronjë bëri edhe Naum Veqilharxhi. Në kushtet e pushtimit osman veprimtarët shqiptarë u detyruan t’i shtypin librat e gazetat në vende të tjera. Vetëm më 1870 administrata osmane ngriti një shtypshkronjë në Shkodër për nevojat e veta dhe lejoi më 1871 hapjen e një shtypshkronje fetare për jezuitët. “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” e Stambollit e vuri në programin e saj ngritjen e një shtypshkronje shqipe, por ajo nuk u lejua në Stamboll, prandaj u hap më 1884 në Bukuresht shtypshkronja e shoqërisë “Drita”, e eila shtypi veprat e S. Frashërit, N. Frashërit, J.Vretos, K. Hoxhit etj. dhe librat për shkollat e para shqipe. Më parë kishte ngritur një shtypshkronjë në Koriliano të Kalabrisë më 1868 De Rada, më 1880 A. Kullurioti për gazetën e tij në Greqi.
Veprimtari të gjerë pati shtypshkronja “Mbrothësia”, ngritur më 1897 në Sofje. Shtypshkronja shqipe më të vogla pati edhe në vende të tjera. Më 1908 u ngrit shtypshkronja “Korça”, më 1911-1912 u hapën edhe në Durrës e Gjirokastër, më 1912 në Vlorë. Pas Pavarësisë u ngritën shtypshkronja në Shkodër (1917), Elbasan (1918) dhe me vendosjen e kryeqytetit u krijua “Zgjimi” në Tiranë (më pas “Tirana”). Më 1939 kishte 19 shtypshkronja.
Sipas Gj.D. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985).