Nga Thanas Mustaqi

Po postoj një shpallje dygjuhësh (gjermanisht-shqip), për mendimin tim, të bujshëm, të komandës se Durrësit të ushtrisë austro-hungareze. Aty bëhej e ditur se “Madhnia e Tij Imperatori i Austriës e Mbreti Apostolik i Ungariës FRANO ZEFI I. Me nderim t’ posaçem pranoj “Bessen” dhanun para Loyalitetit e më detyroj shum, popullit, me i paraqit bekimet e Tija”.
Bien në sy dy fakte interesante që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën shqipe dhe me teorinë e përkthimit.
Është e habitshme që austriakët emrin e Perandorit të tyre Franz Josef I (1830-1916), që në shqipen e sotme do të transilterohej Franc Jozef, ia “shqiptarizuan”, duke e përshtatur në… Frano për Franc dhe Zef për Jozef!
Së dyti, fjalën shqipe “be[s]së” në tekstin origjinal e lanë në shqip dhe nuk e përkthyen.
Kjo shpallje publike / botore ka të bëjë me besnikërinë që disa krerë shqiptarë i shprehën Vjenës dhe për këtë arsye ai falënderon të gjithë popullsinë vendase. Për kureshtje, Perandori “ynë” Frano Zefi I vdiq pas disa muajsh, në muajin nëntor 1916.

Kam zbardhur tekstin origjinal në shqipen e vitit 1916, përshtatjen në gjuhen e sotme / standarde dhe tekstin origjinal gjermanisht.

Teksti shqip i shpalljes austriake:
“Madhnia e Tij Imperatori i Austriës e Mbreti Apostolik i Ungariës FRANO ZEFI I. Me nderim t’ posaçem pranoj “Bessen” dhanun para Loyalitetit e më detyroj shum, popullit, me i paraqit bekimet e Tija. E Nalta Mirëdashtsia e Imperatorit e Mbretit Apostolik t’onit, do të bahet me ditët gjith kah. P. e. M. Stationskommanda e Durrësit. Oberst v. Farkas”.

Në shqipen e sotme:
“Perandori i Tij i Madhërishëm i Austrisë dhe Mbreti Apostolik i Hungarisë Franz Josef I pranuan me mirësjellje shpalljen e besnikërisë të bërë me rastin e njoftimit të Besës dhe më udhëzoi të paraqisja bekimet e tij për të gjithë njerëzit. Dashamirësia më e madhe e Perandorit tonë dhe Mbretit Apostolik shpallet në të gjitha anët. K. u. Komanda e Stacionit K. Durz: Kolonel von Farkas”.

Gjermanisht në origjinal:
“Seine Majestät Kaiser von Oesterreich und Apostolischer König von Ungarn Franz Josef[ph] I. hat die anlässlich der Bessa-Verlautbarung dargebrachte Loyalitaetskundmachung huldvollst entgegen genommen und mich beauftragt Allerhoechst seine Segenwünsche dem ganzen Volke bekannt zu geben. Das Allerhöchste Wohlwollen unseres Kaisers und Apostolischen Königs wird hiemit allseits bekannt gegeben. K. u. K. Stationskommando Durz: Oberst v. Farkas”.

Sondi historik
Në ndjekje të ushtrisë serbe hynë në Shqipëri, në janar 1916, ushtritë austro-hungareze. Ato pushtuan, me radhë Shkodrën, Tiranën, Elbasanin dhe në shkurt Durrësin ku ndeshën me një brigadë të ushtrisë italiane, të cilën qeveria e Romës e kishte dërguar atje muajt e fundit jo aq për të ndihmuar ushtrinë serbe gjatë tërheqjes, siç u tha publikisht, se sa për ta pasur edhe Durrësin, për çdo rast të papritur në dorën e saj. Në Elbasan forcat austro–hungareze u takuan me ato bullgare që kishin pushtuar këtë qytet në mesin e shkurtit. Prej Shqipërisë së Mesme një pjesë e trupave austro-hungareze zbriti në jugperëndim dhe qëndroi në krahun e djathtë të derdhjes së Vjosës, ku u vendos vija e frontit me ushtrinë italiane. Kolona të tjera arritën në jug të Beratit dhe u shtrinë deri në Pogradec.

Info
Franz Jose[f]ph I (18 gusht 1830 – 21 nëntor 1916) ishte Perandori i Austrisë, Mbreti Apostolik i Hungarisë, Mbreti i Bohemisë dhe monark i shumë shteteve të tjera të Perandorisë Austro-Hungareze, nga 2 dhjetori 1848 deri në vdekjen e tij. Në periudhën 1 maj 1850-24 gusht 1866 ai ishte gjithashtu President i Konfederatës Gjermane. Ishte perandori me mbretërimin më të gjatë i Austrisë dhe Mbreti i Hungarisë, si dhe monarku i katërt me mbretërimin më të gjatë të çdo vendi në historinë evropiane, pas Luigjit (Louis) XIV të Francës, Johanit (Johann) II të Lihtenshtajnit dhe Elizabetë (Elizabeth) II të Bratanisë së Madhe, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re, në rendin kronologjik në zbritje.

Ilustrimet:
1. Shpallja dygjuhësh e komandës së Durrësit të ushtrisë austro-hungareze.
2. Foto e ndërtesës së komandës së Durrësit [të ushtrisë austro-hungareze] (gjermanisht: Hafenkommandogebäude).
3. Harta e shtrirjes së ushtrisë austro-hungareze në Shqipëri.