Historia e fotografisë shqiptare

11/12/2011 - 00:00

Dinastia Marubi dhe fototeka kombëtare që ruan 250 mijë negativë

Pietro Marubbi, italiani i lindur në Piacenza të Italisë në vitin 1834, mbështetësi i flaktë i Garibaldit, do ta lidhte jetën e tij përjetësisht me Shqipërinë dhe do të hynte në histori si fotografi i parë i vendit tonë. Përndjekja nga forcat austro-hungareze e detyruan italianin Marubbi të emigronte drejt Shqipërisë, ku mbërriti rreth vitit 1850. I lidhur ngushtë me vendin që e mirëpriti e që u kthye në atdheun e tij të dytë, Pietro do ta shqiptarizonte edhe emrin e tij për tu njohur tashmë nga të gjithë si “Pjetër Marubi”. Pikërisht këtij pioneri të fotografisë shqiptare i njihet merita e padiskutueshme, që solli për herë të parë në Shqipëri aparatet fotografike e me to arriti të përcjellë deri në ditët tona figura e portrete njerëzish të shquar e jo vetëm, peisazhe të ndryshme, por dhe momente nga ngjarjet historike më të rëndësishme, ato që lanë gjurmë në memorien e brezave. Por krahas mjeshtërisë në artin e fotografisë, Pjetër Marubi ishte dhe piktor, skulptor e arkitekt. I vendosur në Shkodër, djepin e kulturës shqiptare, Marubi hapi të parën studio fotografike “Foto Marubi” e aty shkrepi dhe atë që mendohet si fotoja e tij e parë, kushtuar kaçakut të njohur të atyre anëve “Hamzë Kazazi”(1858).  Me fustanellë e me brezin mbushur me armë, ai ka marrë një hije të rëndë para "lodrës magjike" të italianit. Për dikë, ai është kaçaku i fotografisë së parë shqiptare, për të tjerë një komandant udhëheqës ndaj turqve.

Në histori ai nuk ka hyrë për bëmat e tij, por si portreti mbi të cilin është bërë shkrepja e parë e Marubit. Me portretin e këtij trimi të maleve tona nisi në Shkodër historia e fotografisë shqiptare. Pas shkrepjes së parë në 1858, Pjetër Marubi nisi të dalë nga studioja e tij për të shkrepur tashmë shumë foto të tjera në natyrë, që do të përjetësonin copëza të tëra të realitetit shqiptar duke i dhënë udhë kështu, asaj që më vonë do të quhet nga të huajt “epoka e artë e fotografisë shqiptare”. Tre vjet pas shkrepjes së parë, në vitin 1861 ai realizoi peizazhin e parë fotografik që paraqet Shkodrën. Dalëngadalë, Pjetër Marubi nisi të përthithi mendësinë e shqiptarëve. Duke qënë nga pak edhe piktor e skulptor, ai realizoi pikturat murale të Kishës Ortodokse të qytetit e po ashtu shpesh i merrej mendimi nga qytetarë të ndryshëm për aftësitë e fëmijëve të tyre në artet pamore. Një nga këta ishte edhe Arsen Idromeno, që me këshillën e mjeshtrit Marubi e dërgoi djalin e tij Kolë të studionte pikturë në Venezia të Italisë. Ndoshta piktori i njohur Kolë Idromeno është një dhuratë e madhe e Pjetër Marubit për kulturën tonë. Në fillim, Marubi përdori proçesin kolodium në përgatitjen e negativit, ndërsa rreth viteve1885-1890 e zëvendësoi me pllaka të thata xhami të prodhuara në mënyrë industriale në fabrika me xhelatinë bromuri argjendi, çka lehtësonte mjaft dhe e bënte më praktik fotografimin.

Pjesa më e madhe e fotove të tij janë stampuar në bardhë e zi, por ka edhe në sepje. Krijimtaria fotografike e Pjetër Marubit përfshin shumë zhanre si fotoportretin, peizazhin natyror dhe urban, etnografinë, historinë, fotografinë me subjekte sociale, etj. Ajo përbën një “minierë” të vyer për studiues të fushave të ndryshme të shkencës. Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë ishin prodhime franceze dhe gjermane me përmasa 30cm me 40 cm. Puna e nisur nga Pjetër Marubi do të vazhdohej më tej nga Kel e Gegë Marubi, duke krijuar kështu dinastinë e famshme, që me 150 mijë negativët e përcjellë deri në ditët tona përbëjnë një nga dëshmitë më autentike e të rralla të historisë së vendit tonë, traditave, etnografisë e kulturës shqiptare. Fama e madhe që mori “Foto Marubi”, në një kohë kur në vend ende arti i fotografisë ishte i panjohur e ngjallte si kuriozitet ashtu edhe frikë, bëri që studion e tij ta vizitonin njerëz nga të gjitha trevat e vendit. Por krahas fotografive të shkrepura në studio, Marubët kanë lënë pas një arkiv të vërtetë, shumë të pasur me portrete të shkëputura nga realiteti shqiptar, ai realitet sa i trishtë, por dhe krenar i të kaluarës së Shqipërisë. Luftëtarë që mbështeten krenarë mbi tytat e pushkës, gra e burra me kostume tradicionale, peizazhe, lypës të rreckosur, ngjarje të caktuara historike, personazhe të rëndësishme të historisë dhe komunitetit të asaj kohe janë përjetësuar në negativët shekullorë.

Disa nga ngjarjet politike të kohës si “Kryengritja e Mirditës” (1876-1877) apo Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) gjetën pasqyrim edhe në mediat e shkuara europiane, dhe kjo falë fotove të Pjetër Marubit. Bashkëpunimi i tij me revista të njohura europiane si “The London Illustrated News, “La Guerra d'Oriente” dhe“L'Illustration” bëri që momente të rëndësishme të historisë shqiptare (kryengritjet e armatosura dhe përpjekjet e atdhetarëve për pavarësinë e vendit nga Perandoria osmane) të vinin në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar e lexuesit europianë të njihnin pak nga realiteti shqiptar i panjohur për ta. Me shtimin e punës në studion e tij, Pjetër Marubi mendoi të merrte nxënës. Dy djemtë e Rrok Kodhelit, Mati dhe Mikeli, do të nisnin të mësonin nën drejtimin e maestros italian artin e bukur të fotografisë. Me ndarjen para kohe nga jeta të Mat Kodhelit, zanatin e vazhdoi vëllai tjetër Mikel (1870-1940), i njohur nga të gjithë me shkurtimin Kel. Keli filloi të merrte mësimet e para në vitin 1885, kur ishte vetëm 15 vjeç, ndërsa studioi edhe në Francë për të përsosur edhe më tej teknikat e reja të fotografisë. Në nderim të profesorit të tij ai mori mbiemrin Marubi, duke hyrë në histori si brezi i dytë i dinastisë së famshme. Më pas, pasionin dhe zotësinë e tij për artin e fotografisë Keli ia përcolli djalit të tij, Gegë, i cili studioi në Paris në të parën shkollë kinematografike dhe fotografike, “Lumiere”.

Pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit Pjetër Marubi, trashëgimtari legjitim i studios dhe gjithë koleksionit të fotove të tij u bë Kel Marubi. Ky i fundit trashëgoi nga Pjetër Marubi jo vetëm pasionin për fotografinë, por diti ta kthejë atë në një art të vërtetë. Studio në Shkodër u kthye në një atelie arti dhe gamës së gjerë të koleksionit fotografik iu bashkuan fotot e figurave më të rëndësishme të kohës; Gjergj Fishta, Migjeni, Ernest Koliqi, Ded Gjoluli, Azem e Shote Galica, Bajram Curri, Fan Noli, Mbreti Zog, etj. Prania e tij në ngjarjet më të rëndësishme të shekullit XIX-XX e kthyen Kel Marubin në kronikanin fotograf më të madh të historisë shqiptare për gati 55 vjet. Me aparatin e tij, Kel Marubi ka fiksuar në negativ portretet e atyre burrave dhe grave që çështjes kombëtare shqiptare i dhanë gjithçka, deri dhe jetën. Fotoja e tij, shkrepur çiftit Azem e Shote Galica, jo vetëm që na përcjell një imazh të këtij çifti luftëtarësh, por është dëshmi e faktit se pavarësisht izolimit thuajse tërësor, që i kishte bërë mentaliteti i kohës gruas, femra shqiptare mund të qëndronte si e barabartë para burrit, të tregohej po aq trime sa ai, të vendoste vetë për fatin e saj e të ishte e aftë të thyente çdo klishe që paragjykimet kishin ngritur për rreth 500 vjet mbi rolin e gruas në familje.

Shota luftëtare, që qëndron përkrah bashkëshortit e shokut të armëve, tregon se femra shqiptare mund të luftonte e deri të sakrifikohej për një çështje me rëndësi kombëtare siç ishte pavarësia e vendit, e jo të mbyllej brenda katër mureve të shtëpisë për të rritur kalamajtë e për t’u përkujdesur për familjen. Por krahas profesionit si fotograf, Kel Marubi ishte edhe një atdhetar i flaktë. Ai mori pjesë aktive në lëvizjen për pavarësinë e vendit duke marrë pjesë në krijimin e disa shoqatave si “Gjuha shqipe” (1908), “Bashkimi” (1909) si dhe në botimin e gazetës “Zëri i Shkodrës”. Emri i tij si fotograf i talentuar i kishte kaluar kufinjtë e Shqipërisë, ai thirrej shpeshherë nga oborri i mbretit të Malit të Zi për të bërë punime të ndryshme. Brezin e tretë të fotografëve Marubi e përfaqëson Gegë Marubi (1907-1984), i biri i Kelit. Gega u pajis me një kulturë profesionale dhe artistike më të lartë se paraardhësit e tij. Ai studioi në Paris, në vitet '20 në shkollën e parë të Fotografisë dhe të Kinematografisë në botë, të themeluar nga vëllezërit Lumiere. Zbatoi teknikat bashkëkohore që njihte arti i fotografimit, sidomos përdorimin e rrezeve infra te kuqe, të solarimit dhe të fotografimit në reliev. Ai mori medalje ari dhe fletë nderi në 1936, në panairin e Barit (Itali) dhe në 1938, në atë të Selanikut (Greqi). Gega e pasuroi fototekën e studios dhe e përmirësoi arkivin e saj. Më 1970 Gegë Marubi ia dhuroi fototekën e studios, me një pasuri prej 150.000 negativash, shtetit shqiptar. Sot ajo përbën një qendër të rëndësishme arkivore -shkencore. Fotografitë e saj përbëjnë një pasuri të rrallë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët, etj.

Fototeka kombëtare Marubi

Fototeka Marubi është një nga institucionet kulturore, me vlera kombëtare në Shqipëri. Aty ruhen rreth 250 mijë fotografi, të realizuara nga fotografët më të njohur shqiptarë. Fototeka është krijuar në vitin 1970, por në arkivin e saj ruhen negativë të fotografive që i përkasin një periudhe gati 160 vjeçare, duke nisur nga viti 1858. Fotografitë e ruajtura aty dëshmojnë jetën, historinë dhe kulturën e Shkodrës, por edhe të Shqipërisë gjatë një periudhë më shumë se 100 vjeçare. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, me tematika të ndryshme dhe portrete po kaq të shumëllojshme, prandaj ajo konsiderohet si fototeka më e pasur e Ballkanit. Gjithashtu në arkiv mund të gjesh negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj. Me fotot e kësaj fototeke deri tani janë përgatitur 7 albume, që kanë tërhequr interesimin e dashamirësve dhe studiuesve të fotografisë, brenda dhe jashtë vendit. Duke vlerësuar pasuritë dokumentare, kulturore dhe historike të Fototekës “Marubi”, qeveria shqiptare e shpalli atë institucion kombëtar, nën kujdesin e Ministrisë shqiptare të kulturës. Arkivi i kësaj fototeke ka shërbyer si burim për botime të ndryshme e albume të botuara në Francë dhe Itali. Një pjesë e fotografive Marubi janë publikuar në Shkodër në vitin 1982, në albumin "Gjurmë të Historisë Kombëtare", ndërsa fotot e zgjedhura, të shoqëruara me një parathënie nga Ismail Kadare, u botuan me cilësi të lartë në Paris, në albumin me titull "Ecrits de Lumiere".

Të huajt për fotografinë shqiptare

“Asnjë referencë, asnjë emër nuk jepet në historinë botërore të fotografisë për të ilustruar faktin se fotografia shqiptare numëron koleksionin më të pasur të dinastisë Marubi, një emër që ka qenë i injoruar jashtë kufijve. Por Shqipëria mund të mburret se ka qenë skena e shpërthimit të fotografëve të mëdhenj deri në vitin 1945, kur erdhi në pushtet regjimi komunist i Enver Hoxhës. Vitet 1858-1945 janë mosha e artë e fotografisë shqiptare. Shqipëria ka pa dyshim trashëgiminë fotografike më unike në Ballkan, që ka mbetur e injoruar deri tani jashtë kufijve dhe nuk është vlerësuar as në vendin e vet aq sa e meriton të vlerësohet”. Lopic Chauvin dhe Christian Raby, Shqipëria 1858-1945, një rrugëtim fotografik”, album fotografik

 

“Fotostudio Marubi kap dhe dokumenton historinë e Shqipërisë së Veriut që prej Lidhjes së Prizrenit e më tej. Përfshin fotografi të mahnitshme të udhëheqësve të fiseve të veriut, të kryengritjeve të malësorëve, të jetës qytetare në Shkodër dhe të ngjarjeve publike të ndryshme. Vetëm pak fotografi janë botuar deri tani. Që prej vitit 1994, me mbështetjen e UNESCO-s, bëhen përpjekje për të shpëtuar koleksionin dhe për ta bërë të njohur”. Robert Elsie, “Early photography in Albania”

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Aktori Hysen Bashhysa feston sot 72-vjetorin e lindjes. Ceni, siç e thërrasin thuajse të gjithë lindi më 16 shtator 1947 në Durrës.

Atmosferë festive të jashtëzakonshme ka krijuar në amfiteatrin e Durrësit aktiviteti muzikor Karaoke i organizuar nga Bashkia e qytetit d

Më 12 shtator 2019, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit u hap ekspozita “Art 2019” e piktores, skulptores dhe restaurueses së njohur Lilian

Mbrëmjen e kaluar në prani të mjaft artdashësve të kinemasë, në arenën e Amfiteatrit antik të Durrësit u shfaq filmi italian “Un paese qu

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës njofton se mbrëmjen e sotme, 11 shtator 2019, është nata e fundit e projektit të përbashkë

Ditën e enjte, më datë 12 shtator, miq artistë, shkrimtarë e poetë do të mblidhen për të kujtuar mikun e tyre, poetin dhe dramaturgun Avn

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës po bëhet gati për shfaqjen e parë për këtë sezon.

(Mbi romanin “Pushkatimi” të autorit Shpend Topollaj)