Ikona e humorit shqiptar feston 72-vjetorin e lindjes

Postuar: 12/01/2018 - 14:26

E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, ikona e humorit shqiptar, Zyliha Miloti e cila ka festuar 72-vjetorin e lindjes.

Teatri Migjeni ka nxjerr në faqen e tij një kolazh fotosh të artistes Zyliha Miloti për ti uruar ditëlindjen e duke shprehur dhe njëherë krenari për këtë figurë të papërsëritshme të artit tonë.

Ajo lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Mbaroi liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret ma të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 40 vjet.

Plot hir në skenë, me një prani aktoriale që imponohej gjithandej me zë të plotë e të bukur, Zyliha Miloti numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer. Shfrytëzon me sens e maturi nëndialektin e të folurës shkodrane, pa e bërë atë një zhargon të rënd, përkundrazi duke i dhënë një tingëllim poetik e plot muzikalitet, shkruan ‘Ata’.

Ka krijuar figura grash prepotente e zotëruese ndaj burrave, llafazane, sikundër edhe femra snobe, malësore disi naive apo ”burrnesha”, zyrtare e intelektuale të kohës etj.

Në aktrimin e saj ka pak elementë grotesku, duke qenë më aktive ato të një humori me thekse realiste e të sjella sa më pranë modeleve jetësore. Në skenë, Miloti ishte partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur Tano Banushi, sikurse edhe e Zef Dedës, me të cilin ka luajtur shumë pjesë të shkurtra për estradë, kujtojmë këtu: Fotografisti, Në spital, Kunati i shokut Xhemal, Truall i zënë , Toka jonë etj.

Në plejadën e mrekullueshme të aktorëve ka qenë edhe i paharrueshmi Hasan Smaja (Artist i merituar), Bik Pepa, si dhe aktorët e një brezi më të ri, Besnik Çinari, Jolanda Shala, Katrina Biga, Drande Xhaj, Gëzim Kruja, Smajl Alia, Sandër Ruçi, Anton Krosaj, Muhamet Çekini etj. Talenti dhe aftësia profesionale e Zylit, sigurisht që ka bërë të jetë e përshtatshme për këta aktor, duke punuar me një dëshirë e pasion të madh me të cilët sukseset kanë qenë gjithmonë të garantuar.

Në vitin 2006, ka luajtur rolin e Gjylit në pjesën ”Një histori e thjeshtë” të Edmond Mehillit në Teatrin ”Migjeni ”, me të cilin fitoi çmimin si ”Aktorja më e mirë ”në festivalin e aktrimit ”Apollon 2006”.

Loja e saj shquhet për fines, elegancë, me një përshtatshmëri të rrallë dhe me kapërcime të natyrshme, nga tragjikja te komikja dhe anasjelltas, duke krijuar figurën e një nëne të dhimbshme e plot mall për të birin emigrant.

Ka luajtur edhe në disa filma, ku veçohet filmi ”Shoku ynë Tili” me rolin e nënës dhe te ”Dy herë mat” me atë të gruas së drejtorit .

Një gjysmë shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje. Ajo mban titullin ”Artiste e merituar”.

Zyli është sinonim i estradës, aktorja e të gjitha planeve, një grua fisnike, plot elegancë dhe mjaft komunikuese. Fjala e mirë është në fillesën e çdo fjalie të saj. Ajo gjithmonë u paraqit denjësisht, ashtu si e kanë njohur në vite shqiptarët në skenë, ekran, radio, intervista, apo krijimtari: e thjeshtë, elegante, krenare, e sinqertë, pa teprime, një grua e vërtetë shqiptare, me të cilën Shkodra krenohet.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-trupa e estradës, regjisori Haxhi Rama artist i merituar, aktorët Aishe Stari, Roland Koca, artistë të merituar, janë mbledhur brenda

Shuhet Fadil Hasa, teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit në zi!

Për shkak të përmasave të tij si aktor, me çështjen e administrimit të pallatit prej Ndriçim Xhepës, mediat dhe rrjetet sociale u morën p

Aktori i famshëm i Hollywood me origjinë shqiptare, Stan Dragoti, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Anxh

   Ilia Terpini, një nga personazhet e rëndësishëm të historisë se kamerës e fotografisë shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeç

   Nga Gëzim KABASHI

“Nderi i Kombit” Gjergj Vlashi nesër (e premte) do të festojë 90-vjetorin e lindjes.

   Në qytetin e Durrësit është përuruar studio galeria “Dyrrah”, nismë e artistit amator poliedrik Edi Shuka.

Pas gërmimeve nga francezët, arkeologët italianë zbarkojnë në amfiteatër.

   Këngëtarja e njohur, Nexhmije Pagarusha, është dërguar me urgjencë natën e sotme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas një debati të pak kohëve më parë mes aktores së mirënjohur Marjana Kondi dhe ministres së Kulturës, Mirala Kumbaro, duket se aktores