Ditën e sotme, në sheshin “Italia”, para Stadiumit Kombëtar u inaugurua skulptura e artistit të njohur ndërkombëtar Helidon Xhixha.

Skulptori durrsak që prej shumë vitesh ka ndërtuar karrierën e tij në Itali, u paraqit këtë herë me veprën “Big Bang”.

Në fjalën përshëndetëse skulptori Xhixha tha se një falenderim i veçantë për punën e tij krijuese shkon për Italinë, vendin ku ai ndërtoi karrierën si artist por njëkohësisht dhe për Shqiperinë, vendin e origjinës, aty ku hodhi hapat e parë në rrugën e artit.

“Kjo vepër është simbol i rinisjes. Ky projekt nisi tre vite më parë, por fati deshi që pas gjithë kësaj që kaluam, ne të rifillojmë, të rifillojmë me një simbol të artit. Arti është një gjuhë universale dhe kultura u përcjell mesazhe brezave. Unë falenderoj Italinë që na mrëpriti me dashuri, na dha mundësinë të bëhemi artistë. Ndihem krenar që linda në një vend, që na mësoi dhe na transmetoi vlerat e rëndësishme, për të realizuar ëndrrat tona. Falenderoj ambasadorin për ndihmën e jashtëzakonshme për këtë event, si dhe bashkinë e Tiranës”, -tha Xhixha.

Skulptura e artistit durrsak u inaugurua ditën e sotme që përkon me Festën e Republikës italiane.

Eventi kulturor u zhvillua me mbështetjen e ambasadës italiane në Shqipëri dhe ambasadorit italian Fabrizio Bucci si dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Artisti shqiptar me famë botërore tre vite më parë inauguroi skulpturën tjetër të tij të titulluar “Cosmic S”  në rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”në Tiranë.

Helidon Xhixha në vitin 2003 fitoi çmimin e parë në “Gemine Muse Young Artists in Italian Museums”, ndërsa në vitin 2009 ai fiton çmimin e karrierës, “Çmimin Kombtarë të Artit” në Itali.

Në vitin 2015, ai ka marrë pjesë në Bienalen e Venecias me veprën “Iceberg”. Ai ka gdhendur vepra arti në mbarë botën, përfshi edhe qiellgërvishtësen “Muza” në Florida.

Në vitin 2016, Xhixha prezantoi zyrtarisht Shqipërinë në Bienalen e Dizajnit të Londrës, ku fitoi Medaljen Publike për punën e tij.