Kulti i Artemisës në Dyrrah

14/05/2012 - 00:00

Artemisa në Iliri
<p>Artemisa në Iliri</p>

Në Dyrrahun antik perëndesha Artemis shfaqet me një veçori të ndryshme nga ato të kulteve të saj në qytete e vende të tjera. Këtu, hyjnia e gjuetisë siguronte mbrojtjen ushtarake të Durrësit dhe të kufinjve e vendkalimeve natyrore të tij. Sanktuari i saj hedh dritë mbi kontekstin religjioz në territorin e Ilirisë

Në pranverën e vitit 1970, gjatë gërmimeve në nekropolin helenistik, pas kodrave të Dautes, në veri-perëndim të qytetit të sotëm, u zbulua një vendbanim i lashtë. Gjatë gërmimeve të kryera nga arkeologu Vangjel Toçi dhe vëllai i tij Ilia, u zbulua një strukturë e çuditshme katërkëndëshe, e përbërë nga mure tullash të lidhura me baltë. Nga sitja e materialit të gjetur në këtë vendbanim antik u përftuan pesë tonë objekte, ku mbizotërojnë figurinat prej balte të pjekur. Zbulimi i Toçit u la për rreth 30 vjet në harresë derisa me të nisi të merrej në vitin 2003 misioni franko-shqiptar. Meqë pjesa më e madhe e objekteve të gjetura janë figurina prej balte (rreth 1.8 ton), monedha dhe objekte të tjera arkeologët kanë arritur në përfundimin se bëhej fjalë për një sanktuar, dhe ky është zbulimi më i rëndësishëm në kontekstin religjioz në territorin e Ilirisë së Lashtë.

Në sanktuarin e Artemisit, banorët e qytetit depozitonin objekte të ndryshme me qëllim që të përfitonin mbrojtjen e kësaj perëndeshe. Sipas studimeve të kryera nga grupi franko-shqiptar vizitueshmëria e këtij sanktuari deri në kohën e formimit të plotë të depozitës në shekullin II p.e.s ka qenë e ndryshme në shekuj. Sipas të gjitha gjasave sanktuari është ngritur në shekullin VI p.e.s dhe dhurimet e asaj kohe janë të pakta. E njëjta situatë paraqitet edhe në shekullin e V p.e.s., padyshim për shkak të krizës së gjatë që kaloi qyteti. Përkundrazi, duke filluar nga shekulli IV p.e.s. ato shtohen së tepërmi; kjo është dhe periudha kur qyteti lulëzon në gjirin e mbretërisë ilire. Por, krahas evidentimit të objekteve arkeologjike, specialistët kanë arritur edhe në një tjetër përfundim interesant përsa i përket kultit të perëndeshës Artemis, që, siç thotë profesor Tartari, është unikal në të gjithë territorin e vendit tonë.

Artemisa, hyjnia e kalimeve

Artemisa, një nga perënditë kryesore të mitologjisë greke është identifikuar gjithmonë si një vajzë e re e virgjër, gjuetare, shpëtimtare dhe objekt i përkushtimit femëror në lidhje me martesën. Në këtë pikë, Artemisa e grekëve, apo Diana e romakëve shfaq të njëjtat karakteristika në të gjitha vendet ku ishte ndërtuar kulti i saj. Por në Dyrrahun e lashtë është interesant fakti se Artemisi ka atributet edhe të mbrojtëses së vendkalimeve në peisazhin natyror, që ajo shkel kur del për gjah. Pra Artemisa vigjëlonte mbi Epidamne-Dyrrah në dy drejtime: siguronte mbrojtjen ushtarake të tij si njohëse e natyrës dhe njëherazi bënte të mundur vijimësinë e popullatës së qytetit nëpërmjet mbrojtjes që ajo u bënte femrave.

Në afërsi të qytetit, femrat e Dyrrahut antik, nën mbrojtjen e Artemisës kremtonin rite që mundësonin kalimin e vajzave të reja nga adoleshenca në pjekurinë seksuale; nga shtëpia e babait në atë të burrit; nga pozita e një vajze të re në atë të bashkëshortes me stolitë e saj martesore, për të mbërritur më pas në pozitën e nënës. Të gjitha dokumentat që kanë mbërritur nga kohërat antike, por edhe zbulimet arkeologjike flasin për rëndësinë e kultit të Artemisës në Dyrrah. Arkeologët e shpjegojnë këtë me faktin se Artemisa është hyjnia kryesore e qytetit-mëmë, Korkyrës, nga ku kolonët e sollën me vete gjatë themelimit të qytetit në fund të shekullit VII p.e.s.   

Sanktuari i Artemisës

Sanktuari është ngritur menjëherë pas themelimit të kolonisë greke, më 627 p.e.s., atëherë kur kolonët grekë erdhën nga Korinthi dhe Korkyra (Artemisa është perëndesha kryesore e Korkyrës) dhe themeluan në territorin ilir të fisit të Taulantëve qytetin e Epidamnit. Studiuesit e kësaj lënde theksojnë se tipi më i vjetër ikonografik e paraqet Artemisën në shekullin VI-V p.e.s. në një pozicion autoritar, triumfues. Një tip tjetër, më i ri e paraqet gjahtare me një dre ose një qen gjahu, në përmasat 25 cm apo deri në 60 cm. Në sanktuar janë gjetur rreth 14 mijë objekteve, kryesisht figurina prej balte (rreth 1.8 ton), 675 monedha, rreth 200 objekte te tjera prej bronzi, hekuri etj.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Vazhdon puna për zbatimin e projektit për restaurimin e pjesëve të dëmtuara të murit të kalasë së Durrësit.

Aktorja e mirënjohur durrsake, Aishe Stari feston sot ditëlindjen e saj.

Artisja e njohur shkodrane Rita Ndoci cila jeton prej vitesh në emigracion, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” për shembjen e Te

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore del në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se mund të restaurohet me sukses.

Ka nisur puna për pastrimin e pjesëve të murit të Kalasë së Durrësit që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në vitin 2017, nga sheshi para portit të Durrësit u larguan shtatë skulptura parku, të cilat i hapën rrugë zbatimit të projektit që morri

Ashtu si çdo gjë po ndodh online kohët e fundit për shkak të koronavirusit, e njëjta ka ndodhur edhe me Eurovizionin.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka shpallur banesën e Maks Velos monument kulture.

Me ide kreative siç karakterizohet gjithnjë puna e saj, që përqafohen menjëherë nga publiku, regjisorja Driada Dervishi nuk qëndroi pushi

Aktorja e trupës së teatrit të Durrësit, Sanie Hoti feston sot 65-vjetorin e lindjes.