Ende nuk ka vendosur asgjë, por thjesht fakti që po e mendon seriozisht largimin nga Shqipëria është trishtues. Është e trishtueshme që të largohet një kompozitor si Shpëtim Saraçi, i cili ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Të ishte për të nuk do të thoshte asgjë, por ja që fjalët fluturojnë.

U desh një status në Facebook, nga një gazetare e njohur shqiptare në Amerikë, Kozeta Zylo, me të cilën kishte konsumuar një drekë, që lajmi të fluturonte se kompozitori dhe bashkëshortja e tij, një tjetër emër i njohur në muzikën shqiptare, këngëtarja Mira Konçi, do të largohen nga Shqipëria, për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shpëtim Saraçi nuk është nga ata të bujshmit, që gjithçka që bën ta shoqërojë me trumbeta, as nga ata që ikjen e shoqëron me një lumë sharjesh për vendin e vet, përkundrazi, fakti që ende nuk e ka vendosur do të thotë se i dhemb.

Ndërsa, të gjitha mediat shpërndanë lajmin e largimit të tij nga Shqipëria, vetë Shpëtim Saraçi shpjegon situatën në të cilën ndodhet. Është e vërtetë se momentalisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ende asgjë nuk është definitive.

ARSYET

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, kompozitori Shpëtim Saraçi, shprehet se tashmë është duke e menduar largimin dhe për këtë nuk ka pak arsye. Është e qartë që është i zhgënjyer për sa kanë ndodhur kohët e fundit, sidomos në Radio Televizionin Publik Shqiptar, ku redaksia që ai punonte me të tjerë emra të nderuar të muzikës shqiptare si Alfred Kaçinari dhe Edmond Zhulali u shkri, ndërsa ata u lanë në “pritje” të gjetjes së një “pozicioni” tjetër.

Po ashtu, Saraçi shprehet se këtë hap, nëse do ta ndërmarrë, do ta bëjë për të ardhmen e fëmijëve, për shkollimin e tyre në një sistem të konsoliduar arsimor.

“Ajo që është e sigurt, është që po mundohemi të ndihmojmë fëmijët të shkollohen në një sistem arsimor të konsoliduar dhe jemi në kohën kur çdo familje në botë e bën këtë gjë… Për të tjerat, çdo gjë është fakultative. Di që departamentin e punës në RTSH që drejtoja, na e shkrinë (një redaksi me traditë 55-vjeçare) në emër të krijimit të ca strukturave të reja që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës. Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion, për rreth 30 vite në Shqipëri (ku pësova edhe trauma shëndetësore, që mund të më kushtonin edhe jetën) prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe. Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”, u shpreh Saraçi, teksa shpreh keqardhjen që i duhet të diskutojë të qëndrojë apo të largohet nga vendi i tij, ku ndërtoi një karrierë të gjatë e të suksesshme.

KOMPOZITORI

Shpëtim Saraçi është një nga kompozitorët më të mirë të pas viteve ’90 në Shqipëri. Së bashku me bashkëshorten, Mira Koçi, përmes një muzike të freskët, do të sillnin një erë të re, duke bërë për vete publikun shqiptar.

Shumë këngë të tij kanë qenë fituese në festivalet e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Emrin e tij e mbajnë dhjetëra këngë e qindra orkestracione. Ka qenë Drejtor Artistik i Festivalit të RTSH-së në disa edicione, ndërsa ka qenë një nga emrat kryesorë të disa spektakleve në Tv Klan dhe Top Channel. Dy vjet më parë, Saraçi kaloi një periudhë shumë të vështirë në jetën e tij. Një ishemi cerebrale do t’i rrezikonte jetën. U kurua në SHBA. Një periudhë që do të provonte veten dhe miqtë.

Edhe pse nuk do të qe e lehtë, u ngrit sërish, duke rifilluar punën në RTSH dhe në Top Channel. Po me sa duket kompozitori po mendon t’i japë një kthesë jetës. Gazetarja Kozeta Zyla e TV “Alba Life”, në Nju Jork, shkruan në rrjetet sociale: TV “Alba Life”, në New York me dy artistë të shquar shqiptarë. Një takim shumë i këndshëm me dy artistë të mirënjohur shqiptarë, me dy artistë të mrekullueshëm Shpëtim Saraçi dhe Mira Konçi. Biseda me ta ishte e natyrshme, e çiltër ashtu siç është bota e artistit të vërtetë.

Si një çift me përvojë në jetën amerikane, ndamë historitë tona dhe inkurajimet për njëri-tjetrin. Të parin urim që iu dhamë ishte, ashtu siç na kanë uruar miqtë tanë kur shkelëm për herë të parë në tokën e bekuar si “Ju marrtë Amerika me të mirë! Është një bekim si prej Zotit! Banorët e rinj të ishullit tonë në Staten Island do ta kenë të lehtë, sepse ky vend njerëzit dhe artistë të tillë i merr vetëm me të mirë. Së shpejti do të jenë në studion e TV “Alba Life” në Staten Island, New York”, shkruan Zylo.

/Panorama/