Shkrimtarja shqiptare Gladiola Jorbus vjen me një novelë të gjatë 50 faqesh. Ajo më nderoi mua me praninë e saj më 31 mars, në bibliotekën e qytetit Norrköping, në ditën time të shënuar për mirënjohje 50 (apo ishin 70) vjeçare, për angazhimet e mia në gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Që atëherë, Gladiola ka marrë pjesë në një bursë në regjionin Bohuslän të Suedisë dhe më pas shkroi novelën e përmendur më sipër, të cilën unë tanimë e kam lexuar germë pas germe.

Është një tregim pjesërisht tragjik rreth një burri despotik dhe gruas së tij engjëll në sensin e sakrifikimit dhe aftësisë të saj të të mbijetuarit, ndaj dhunës fizike dhe psikike nga i shoqi – duke e manifestuar atë përmes dashurisë së saj, ndaj djalit Diomedit.

Nëna Athina ëndërron që një ditë të arrijë në Suedi, larg Ulpianit mizor. Ajo këtë nuk e arrin dot ta bëjë, ndonëse djali i saj arrin të kryejë shkollën në Goteborg.

Përshkrimet e Suedisë në letërsinë shqiptare përmbajnë një rëndësi të veçantë për ne, gjithmonë duke pasur paraardhësit e Gladiolës si Faik Konica, Vedat Kokona dhe Sterjo Spase nga kohët e vjetra si dhe miqtë tanë të rinj, pa përmendur emra, të cilët sot përcjellin emocionet e Suedisë drejt bashkëkombasve të tyre.

Do të pasqyroj një imazh timin nga novela me një interpretim timin.

”Diomedi rri dhe flet me shoqen e tij të fëmijërisë Arba, ku në çast shfaqet i dashuri i saj, suedezi Björn. ”Bjorni iu bashkëngjit dy miqve të vjetër dhe porositi një filxhan të madh me kafe. Ai kishte blerë ca kuleçë me kanellë dhe i vendosi ato, sipër tavolinës me kujdes.

– Fika, – tha ai duke buzëqeshur. (Autorja përdor këtu nocionin suedez fika, shënimi im). Fika [ngjason me nocionin shqiptar zemër, sh.p], kjo traditë e bukur suedeze e të pirit kafe me miqtë, farefisin, kolegët apo anëtarët e familjes e cila përmban jo vetëm të pirin e kafesë, por kultivon dhe jetën e tyre shoqërore. Fika bëhet në çdo kohë, në mëngjes, pasdite ose në mbrëmje. Bëhet në shtëpi a në punë, në kafeteri dhe kudo tjetër, me biskota e pa to; është pra ky një moment i mirëpritur për të gjithë”.

Dhe pikërisht fika, kjo traditë aq e dashur për ne suedezët arrin dhe merr vend në letërsinë shqiptare. Vërtet mirë !

 (Ullmar Qvick, Norrköping, Suedi)

Përkthyer në shqip nga Tiron Papraniku