Mësues e nxënës, së bashku për 100-vjetorin e Mihal Ekonomit (VIDEO)

19/12/2018 - 14:36

Mësues, nxënës dhe intelektualë durrsakë u takuan të martën në mbrëmje në veprimtarinë kushtuar 100-vjetorit të lindjes së mësuesit atdhetar Mihal Ekonomi.

“Babai punoi me ngulm që familja e tij të vazhdonte traditën e mësuesisë në lëndën e gjuhës shqipe”, tha për të pranishmit e bija mësuese, Elsa, themeluese dhe drejtuese e shkollës “Mihal Ekonomi”, e para shkollë jopublike në rrethin e Durrësit.

Takimin e përshëndetën mësues të rinj, studiues e gazetarë, të cilët vlerësuan kontributin e mësuesit të shquar në disa dhjetravjeçarë.

Dy botimet pedagogjike të Mihal Ekonomit

Në vitin 2012, dy libra të rinj, kanë rikthyer në vëmendje një mësues erudit, pasionant të gjuhës shqipe, atdhetar dhe besimtar.

Hartuesi i këtyre shkrimeve, mësuesi Mihal Ekonomi (15 korrik 1918 – 24 dhjetor 1990) ka qenë edhe sot në qendër të takimit të organizuar në odeonin “Nikolin Xhoja” të Durrësit.

Mbi të gjitha një takim i përgatitur me dashurinë e një bije, siç mund të bënte vetëm Elsa Ekonomi Hila, vajza e vetme e profesorit të gjuhës dhe letërsisë.

Vëllimi i parë i përmbledhjes “Shkrime të zgjedhura” nga Mihal Ekonomi si dhe vepra “Historia e pedagogjisë” nga autori rumun Enesku, përkthyer që në vitin 1945 janë dy veprat e botuara nga znj. Ekonomi..

“Shkencëtar të mirëfilltë dhe studiues erudit” e përcaktonte në fjalën e tij mësuesin Mihal Ekonomi regjisori, shkrimtari dhe përkthyesi Gjergj Vlashi, sipas të cilit vëllimi “Shkrime të zgjedhura” mund të mbante me dinjitet edhe emërtimin “Studime të zgjedhura”.

Artikujt teologjikë, hulumtimet mbi figurat e shquara të historisë dhe të kulturës vendase dhe botërore, mendimet mbi ilirologjinë, gjuhësinë dhe mitologjinë si dhe studimet e kujdesëshme mbi toponomastikën, ose më saktë mbi etimologjinë e saj, i bëjnë mjaft të vlefshme shkrimet e qëmtuara me kujdes dhe të përmbledhura nga Elsa Ekonomi në vëllimin e parë të “Shkrimeve të zgjedhura”.

Eqerem Shehu, një nga ish-drejtuesit e arsimit në rrethin e Durrësit kujtonte kohë më parë punën e përbashkët me mësuesin Mihal Ekonomi dhe veçanërisht kontributin e tij në fushën e toponomastikës së fshatrave.

Një kontribut që nuk kishte lënë indiferent as shkëncëtarët drejtues të Institutit të Gjuhësisë. Vite më parë prof. Androkli Kostallari i shkruante mësuesit Mihal Ekonomi njëlloj si një kolegu të nderuar: “Puna e kujdesëshme që ju keni bërë për të mos lënë të humbasë pasuria leksikore e frazeologjike e shqipes është me rëndësi kombëtare”.

Një vlerësim i spikatur për një njeri që kombin dhe besimin i konsideronte si shtyllat më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore. Njëlloj edhe përcaktimi i studiuesit Adriatik Kallulli, që vlerësonte pedagogun e fjalës shqipe.

Mihal Ekonomi në vitet e luftës së dytë botërore ishte diplomuar në degët e pedagogjisë dhe teologjisë në universitetin e Kluzh-Sibiut (Rumani).

Për më shumë se 25 vjet ai punon si mësues në tre shkolla të njohura të qytetit të Durrësit. “I pëlqente mësuesia dhe kur shpjegonte i mahniste nxënësit me fjalët që përzgjidhte dhe mënyrën se si tregonte”, kujton e bija Elsa. Mësuesi duhet të jetë edhe aktor për t'i bindur dëgjuesit-ishte një nga shprehjet që përsëriste shpesh.

Mihal Ekonomi vdiq në fund të vitit 1990.  

Dy librat që panë dritën e botimit në vitin 2012 u bënë shkak për “Mirënjohjen e qytetit”, titull plotësisht i merituar për mësuesin atdhetar Mihal Ekonomi.

Nga Gëzim Kabashi

*Ndiqni në videon më poshtë, prononcimin e drejtoreshës Elsa Ekonomi dhënë për “DurrësLajm”.

/portali DurresLajm/

Video: 
Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në ditën kur teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit feston 66-vjetorin e themelimit të tij, një nga regjisoret më të talentuara të tij, Dr

Me 12 nominime, filmi ”The Favourite” është si për ironi, favoriti në garën e sivjetshme të çmimeve “Bafta”.

Bashkia Durrës organizoi një koncert në datat 28 dhe 29 dhjetor me grupe muzikore që performuan në sheshin “Liria”.

Mbrëmjen e djeshme është organizuar në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu" në Durrës koncerti artistik "Bujaria durrsake" me rastin e

Me rastin e Vitit të Ri, një koncert festiv do të mbahet në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

“Të falem i bukuri Durrës” kjo këngë që ngre peshë jo vetëm zemrat e durrsakëve e kënduar nga Qemal Kërtusha ka mbetur kënga emb

Piktorja Shpresa Milaqi Bajko, është njohur tashmë në qytetin e Durresit dhe më gjerë për pikturat e bukura plot kolorit e dinamizëm që s

Për të dytin vit radhazi në ambientet e pallatit të brigadave, është zhvilluar aktiviteti “Oda 2018” që bëri bashkë disa nga artistët shq