Nga Gëzim Kabashi

Sot paradite miq e shokë bashkëqytetarë dhe të afërmit e tij do të përcjellin në banesën e fundit Nexh Kosovën, siç e njohnin të gjithë Nazmi Kosovën. Ai ndërroi jetë dje, vetëm katër javë pasi kishte festuar 89-vjetorin e lindjes.

Sportist veteran, Nexh Kosova ishte nga ata durrsakë që kishte provuar të gjithë sportet. Not, vaterpol, boks, ngritje peshe, hedhje nga trampolina, e plot të tjera ishin kategoritë sportive ku djaloshi durrsak e ka thënë fjalën e vet 70 vjet më parë.

Në një intervistë dhënë për ATSH-në 6 vjet më parë Nexh Kosova tregonte:

Notoja me të rinjtë dhe hidhesha nga trampolina me lartësi 3 metra. Ndërsa në skuadrën e vaterpolit kisha rolin e portierit”.

“Ishte koha kur bëheshin të gjitha. E kalonim ditën në fushat e sporteve dhe bashkë me një shok provonim edhe në kërcim së larti, ku arrija të kërceja 1.80 centimetra.

Për vitet 1940 ishte goxha lart, por nuk pranohej nga gjyqtaria. Nexh Kosova kërcente përballë stekës, me një stil krejtësisht origjinal: pupthi. Pra, hidhej mbi stekë me kokën para!

Por asgjë nuk e bëri të njohur Nexh Kosovën se sa boksi.

Sporti i ringut duket se ka vendosur përfundimisht edhe emrin e tij.

“Është e vërtetë! Në pasaportë e kam emrin Nazmi, por asnjëherë nuk më kanë thirrur tamam. Disa Nexhmi, disa Nazmi, disa të tjerë Nexhmedin, megjithatë edhe shkokët e miqtë, por edhe gazetat e kohës emrin tim si boksier e shkruanin Nexh Kosova”.

Në një lajm të ATSH-së që riprodhohet në nga një prej gazetave të fillimviteve 1950 shkruhet për garat individuale të notit në Durrës, ku “notari i ekipit ushtarak Nexh Kosova garën e 50 metrave e përshkoi brenda 41 sekoda e dy të dhjeta, duke thyer rekordin e mëparshëm që ishte 49 sekonda”.

-Kur shkova ushtar, më sollën te klubi “Partizani” vetëm prej sporteve-kujton Nexha.

Në të njejtin artikull gazete jepen edhe rezultatet e larta të djemve të ekipit durrsak Korra, Truma, Afezolli, Kapllani e Kapexhiu, më të cilët Kosova i ri ishte rritur. Një shok i pasionuar i ka mbledhur gazetat e kohës që kanë shkruar mbi rezultatet e Nexhës dhe ia ka bërë dhuratë.

Kosova kujton me respekt njerëzit e parë që i kanë mësuar sipas mënyrës së tyre të fshehtat e boksit. Dikush me emrin Luigj, mbiemrin e të cilit nuk e kujton; Vlash Curri, i cili garonte edhe për vehte, së bashku me Ilmi Rekën, që njëlloj si Nexha kishte disa mbiemra. Që të gjithë njerëz pasionantë.

“Në garat kombëtare të Vlorës konkurova në peshën e lehtë dhe dola i dyti-vijon Nexha, por mjaftoi një këshillë e matur dhe në garat e ardhshme në vitin 1948 Kosova paraqitet në ring mes konkurentëve të peshës pupël. “Rashë nga pesha për pak kilogramë dhe suksesi ishte i siguruar”: në të katër takimet deri te titulli i kampionit kombëtar Nexh Kosova fiton me nokaut.

Vijnë këshillat e Sotir Polenës, por mbi të gjitha mbërrin shoku, sportisti dhe trajneri Ali Kastrati, një nga njerëzit më të shquar të sportit shqiptar në të dy shekujt.

“Boksi është i çuditshëm-tregon Nexha. Ndonjëherë kundërshtarin e zë paniku, që tek peshimi. “Kosova senior” mban mend kur në peshën pupël, pasi informoheshin fshehurazi për peshën e kundërshtarit e ngrinin atë me dhëmbët te rripi i mesit.

“Kaq mjaftonte për ta trembur dhe bllokuar rivalin-thotë me sytë që i qeshin Nexha.

Njeri i këndshëm, gjithmonë në kërkim të një “gallate” të re, Nexh Kosovën e mbaj mend në fillim të viteve 1970, kur shëtiste në rrugën përballë Ambulancës së Durrësit, duke e ngarë biçikletën mbrapsht. Pra duke ndenjur mbi timon. Për ne të rinjtë, banorë në të njejtën lagje, përveçse aventurë, me këtë stil mund të rrezikojë ndonjë këmbë apo dorë.

“E mban mend edhe ti numrin e biçikletës? E bëj edhe tashti- më thotë Nexha, sikur të ketë gjetur një shmbull konkret të rinisë së tij të dytë.

Pas një ore e shoh që vjen me një biçikletë përdore dhe në sheshin përballë Xhamisë së Madhe më demostron edhe një herë se si biçikleta e tij mund të ecë me dhjetra metra edhe në drejtim të kundërt me çiklistin.

Kosova është një nga ata durrsakët tipikë, që ka dëshirë të rrijë me miq e me shokë; të diskutojë gjatë, mundësisht për sport, për muzikë e për kinema. Pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar thuajse në det, ose të paktën përballë tij. Nisi punën kur ishte fëmijë në portin detar si punëtor, e më pas për 19 vjet, nuk iu nda elektrovinxhit, deri në vitin 1984, kur doli në pension.

Kthehem para kompiuterit dhe i hedh një sy shënimeve që kam mbajtur për te, ndërsa lexoj edhe motivacionin e titulit “Mjeshtër Sporti”.

“I jepet z. Nexhmi Kosova, për rezultate të larta në cilësinë sportive, në aktivitete kombëtarë dhe ndërkombëtare në sportin e boksit”.

Kampion boksi nga viti 1948 – 1952, kampion vaterpoli në vitet 1950-1951 me “Partizanin” dhe kampion trampoline në vitin 1951 Kosova është një tjetër pjesë e historisë sportive të qytetit bregdetar.

Vitet e fundit Nexha ka jetuar në Durës dhe në Itali, atje ku jeton vajza e vogël, një nga tre fëmijët që ka nga martesa me Dijen, bashkëshorten, që disa vjet më parë humbi jetën në një aksident automobilistik.

Një shembull i kurajos dhe vullnetit, ky i veteranit të sporteve Nexh Kosova, i cili më 18 shtator të këtij viti feston 83-vjetorin e lindjes.